BotaLajme

A po pajtohet sërish Evropa me Erdoganin?

Kontaktet diplomatike midis Turqisë dhe disa vendeve evropiane janë përshpejtuar ditët e fundit, teksa presidenti Recep Tayyip Erdogan bisedoi me udhëheqësit gjermanë dhe francezë, edhe pse këto kontakte mund të shkaktojnë përçarje të brendshme në Bashkimin Evropian.

Pas këtyre kontakteve midis Ankarasë dhe zyrtarëve evropianë, Nacho Sanchez Amor, raportuesi i Parlamentit Evropian për Turqinë, i dërgoi një letër Presidentit të Këshillit Evropian Charles Martel, duke i bërë dy pyetje:A mundet ai ta informojë Parlamentin Evropian kur dhe si marrëdhëniet e BE-sëi janë deleguar vetëm 2 shteteve anëtare të BE-së?

A mundet Martel të informojë Parlamentin Evropian për arsyet e mungesës në këtë takim të presidencës aktuale portugeze të Këshillit të BE-së?

Amor iu referua takimit të zhvilluar midis zëdhënësit presidencial të Turqisë, Ibrahim Kalin dhe Maryem van den Heuvel, këshilltares kryesore të politikës së jashtme të presidentit të Këshillit Evropian; Jan Hecker, këshilltarit kryesor i politikës së jashtme të kancelarit gjerman; dhe Emmanuel Bonne, këshilltari kryesor i politikës së jashtme i presidentit francez; dhe Nikolaus Meyer-Landrut, kreu i delegacionit të BE-së në vizitën që zhvilloi në Turqi më 12 mars.

“Mbeta i befasuar kur pashë që BE-ja ia ka deleguar Gjermanisë dhe Francës marrëdhëniet e saj me Turqinë”-shkroi Amor në Twitter më 12 mars, duke shtuar me sarkazëm“Nuk e mbaj mend se kur Këshilli i BE-së ra dakord mbi këtë gjë, ndaj vendosa të pyes presidentin e Këshillit të BE-së.

Siç mësuam nga Brexit, rezultatet më të mira vijnë nga uniteti i vërtetë!”. Me sa duket, burimi i informacionit të Amor ishte e përditshmja pro-qeveritare turke“Hurriyet Daily News”. Gazeta publikoi një foto të takimit midis zyrtarëve Turq dhe atyre të BE-së në Stamboll më 11 mars.

“Ne nuk do t’i ndërpresim kurrë lidhjet tona me Evropën. Në këtë periudhë ato kanë pasur ulje-ngritje. Perspektiva e Evropës ndaj Turqisë është ngushtuar. Sot kemi një Evropë që merr udhëzime nga Uashingtoni”-u citua Kalin në raportimin e kësaj media.

Takimi i fundit ndodhi pas video-konferencës së 2 marsit midis Erdogan dhe presidentit francez Emmanuel Macron. Ai takim ishte shumë i rëndësishëm, pasi u zhvillua vetëm disa muaj pasi Erdogan e pati fyer udhëheqësin francez, duke thënë se ai vuante nga “një çrregullim mendor”.

Përmes një proteste të nënkuptuar, Franca e tërhoqi ambasadorin e saj nga Ankaraja. Gjithsesi, leximi nga pala turke i asaj video-telefonate midis Erdogan dhe Macron, ka një ton dramatikisht të ndryshëm.

“Duke theksuar se ky vit shënon 100vjetorin e Marrëveshjes së Ankarasë, presidenti Erdogan nënvizoi se dialogu midis udhëheqësve ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet Turqi-Francë.

Kjo marrëdhënie miqësie, bazat e së cilës ishin hedhur që me shkëmbimin e letrave kredenciale midis mbretërve Fransua I dhe Sulejmanit të Madhërishëm, ka kapërcyer me sukses shumë sfida, tha presidenti Erdogan, duke theksuar më tej se bashkëpunimi Turqi-Francë ka një potencial të madh”– raportuan mediat turke.

“Si dy aleatë të fuqishëm brenda NATO-s, ne mund të japim një kontribut të rëndësishëm në përpjekjet për sigurinë, stabilitetin dhe paqen në një gjeografi të gjerë, duke u shtrirë nga Evropa në Kaukaz, nga Lindja e Mesme në Afrikë. Ne shpresojmë që Turqia dhe Franca të veprojnë në solidaritet në lidhje me këto çështje”– theksoi Edorgan.

Por çfarë ka ndryshuar në fakt midis Ankarasë dhe Parisit që kur Erdogan e cilësoi Macron si një njeri me probleme mendore? A po lëviz Erdogan nga pozitat e fuqisë apo dobësisë?

Përgjigja është që të dyja. Erdogan e sfidoi Macron në Libi, por edhe në Mesdheun Lindor dhe nuk humbi.

Në mënyrë të ngjashme, në Kaukazin e Jugut, Franca mbështeti Armeninë në luftën mbi Nagorno-Karabakut,ndërsa Turqia mbështeti ushtrinë e Azerbajxhanit,dhe Erdogan padyshim fitoi përsëri. I joshur nga udhëheqësja gjermane Angela Merkel që në vitin 2015 – fillimi i krizës siriane të refugjatëve – Erdogan duket se ndihet shumë i sigurt sot në angazhimin me Macron.

Megjithatë, ai gjithashtu duhet të rregullojë marrëdhëniet e Turqisë me BE-në. Ndaj Erdogan ka nevojë për Macron, pasi mbështetja e Merkel nuk i mjafton Ankarasë. Kanë kaluar gati dy muaj që kur presidenti amerikan Joe Biden ka marrë detyrën, dhe ai nuk e ka telefonuar ende presidentin turk.

Mungesa e një telefonate nga Biden – me të cilin Erdogan kishte lidhje personale që në kohën e Barack Obamës – po dëmton imazhin e vetë-proklamuar të Erdoganit si një “udhëheqës global”. Në këto kushte, për të ngushtuar hendekun e thelluar midis Ankarasë dhe Uashingtonit, Erdogan ka nevojë në këtë moment për udhëheqësit evropianë. Prandaj, ai po manovron për të fituar sërish mbështetjen e BE-së. Paketa e Erdogan për të drejtat e njeriut, e zbuluar së fundmi, mbi reformat në gjyqësor dhe ekonomi, si dhe iniciativat e Ankarasë për të rivendosur lidhjet me Egjiptin dhe Izraelin, mund të shihen që të gjitha si përpjekje të Turqisë për të rregulluar lidhjet me aleatët e saj tradicionalë dhe me BE-në.

Nga ana e tij Bashkimi Evropian, në dallim nga Shtetet e Bashkuara, nuk duket indiferent ndaj propozimeve të Erdoganit. Mediat turke kanë trumbetuar me të madhe faktin që drejtuesja e Komisionit Evropian Ursula von der Lejen dhe zyrtarë të tjerë të nivelit të lartë të BE-së, pritet të bëjnë ditët e ardhshme një vizitë në Turqi për të takuar Erdogan.

Këto takime mund të jenë arritje e madhe diplomatike për Erdoganin, si në planin ndërkombëtar ashtu edhe në atë të brendshëm. Ai mund t’i përdorë ato për të kompensuar mungesën e telefonatës nga Joe Biden.

Këto kontakte do të ishin gjithashtu të dobishme për Erdogan përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit2023, që përkojnë dhe me 100-vjetorin e Republikës Turke. Udhëheqësit e BE-së dhe Erdogan do të mblidhen më 25-26 mars për një samit të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, në një kohë kur sundimi i ligjit në Turqi po përkeqësohet në mënyrë të vazhdueshme, kur Ankaraja po shkel vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për gjykime arbitrare,kur ka shkelje të përhapura të të drejtave të njeriut, dhe veçanërisht pas çështjes së represionit ndaj partisë së tretë më të madhe në vend, Partia Demokratike e Popujve (HDP) pro-kurde, dhe heqjes së imunitetit parlamentar të mbrojtësit kryesor të të drejtave të njeriut Omer Faruk Gergerlioglu – duke pasur parasysh reagimet e dobëta nga kryeqytetet evropiane, samiti i ardhshëm Turqi-BE mund të hyjë në histori si një tjetër qetësim i toneve mes BE-së dhe Erdoganit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button