KosovëLajme

Çfarë u tha në aktakuzë e çfarë në gjykim për armën me të cilën u vra Agonis Tetaj?

Isuf Tetaj përmes një shkrimi publik drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, mediave dhe ambasadave të huaja ka shprehur pakënaqësinë e tij me veprimin e prokurorit Agron Uka në raport me ricilësimin e veprës penale në lidhje me vrasjen e birit të tij.

Në seancën e fundit prokurori Uka e kishte rikualifikuar veprën penale që i vihej në barrë të akuzuarit Shaban Gogaj.  Nga “vrasje e rëndë”, prokurori e ndërroi veprën penale në “vrasje nga pakujdesia”.

Tetaj letrës publike ia bashkëngjiti edhe videon me pamjet e momentit të vrasjes së djalit të tij.

Avokati Besnik Berisha në një intervistë në televizionin T7 është deklaruar lidhur me detaje për rastin që ditët e fundit ka marrë vëmendjen e opinionit publik.

Berisha si avokat i Shaban Gogajt ngriti akuza në drejtim të prokurores që rastin e kishte kualifikuar si “vrasje e rëndë”.

Sipas tij, prokurorja në aktakuzë ka shpikur, shpifur e manipuluar.

“Kjo është rrena e parë që e ka shkru prokuroja. Prokurorja ka shpifë, shpikë e hamendësu, e ka falsifikuar, e ka thënë prokuroria, ka siguruar informata joformale që Shaban Gogaj ka vizituar poligonet, dhe ka çu hetuesit që kanë shku e kërkuar e asnjëherë Shabani nuk ka shku”, tha Berisha.

“Mirë që e thatë se ka pasë njohuri, edhe s’ka pasë hiç njohuri”, u deklarua ai lidhur me aftësitë e të akuzuarit për përdorim të armës së zjarrit.

Berisha tha se Shaban Gogaj e ka dëshmuar në gjykatë që me armë me gaz ka gjuajtur tri herë në jetë, ku avokati sqaroi se mekanizmi, mënyra e funksionimit, mbushja, shenjëstrimi, janë të njëjta, e vetmja gjë që i dallon është fakti që tyta është e mbyllur në këtë rast e armës së vërtetë.

Në një seancë gjyqësore të zhvilluar në Gjykatën e Pejës, eksperti Qendrim Topalli para trupit gjykues ka deklaruar se i akuzuari Gogaj ka pasur aftësi për përdorimin e armës së zjarrit.

Sipas ekspertit mënyra se si e ka kapur armën i akuzuari është një prej mënyrave si mësohet në shkollat e policisë apo poligonet e shenjëtarisë.

“Bazuar në veprimet që ne i kemi parë në video incizim kemi vërejtur se ai ka pasur njohuri bazike në përdorimin e armës, ne i kemi ndarë në 4 pika, të veprimi i mbushjes në 1 ku i pandehuri ka njohuri lidhur me mënyrën e vendosjes së karikatorit në armë, pra në video shihet se si e merr armën në dorën e djathtë e kthen në pozitën e djathtë dhe me dorën e majtë bënë veprimin e vendosjes së karikatorit” ka deklaruar eksperti.

“Pika 2 veprimi i repetimit të armës së zjarrit, shihet se i pandehuri ka njohuri në mënyrën e repetimit të armës, duke tërhequr kafkën apo shulin prapa pasi ai bënë veprimin me dorën e majtë te futja e karikatorit, ai e stabilizon dorën dhe e vendos gishtin në këmbëzën e armës” ka vazhduar ai.

“Nën 3 shenjëstrimi i armës duke u bazuar në rregullat për gjuajtje me armë të zjarrit vërehet se ka njohuri në teknikat lidhur me teknikat e marrjes në shenje, stabilizimit të armës dhe gjuajtës më të, të pika 4 kemi vërejtur se i pandehuri pas shkrepjes, e largon gishtin nga këmbëza e armës duke e mbajtur në pozitë të drejtë konform rregullave të sigurisë për përdorim të armës” ka shtuar Topalli.

Sipas ekspertit bazuar në të gjitha këto ka ardhur të konstatimi se i pandehuri ka njohuri në përdorim të armës.

Eksperti ka sqaruar edhe dallimin e armës së vërtetë dhe asaj me gaz.

“Arma me gaz ka dallim sepse tyta e saj transferon gazin ndërkaq arma e zjarrit është e dizajnuar për të përcjellë predhën apo fishekun e armës se zjarrit, konkretisht në karikator vërehet çfarë municioni ka, pasi që dallon municioni” është deklaruar ai duke shpjeguar dallimin mes dy armëve.

Mirëpo, sipas tij, dallimi tek tyta nuk mund të vërehet me shikim vizual.

“Tyta që dallon armën me gaz dhe armën me municion nuk mund të përcaktohet me shikim vizuel”, shtoi eksperti Topalli.

Ndërsa eksperti ka deklaruar nuk dallon mënyra e mbushjes se armës me gaz dhe asaj të zjarrit.

Ndërsa sipas fotografive mund të vërehet dallimi edhe në ngjyrë.

Sot kryeprokurori Aleksander Lumezi pas dyshimeve për njëanshmëri ka përjashtuar nga kjo çështje prokurorin Agron Uka, i cili ka rikualifikuar veprën penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka kërkuar gjithashtu edhe që Gjykata e Pejës të mos e shpallë të përfunduar shqyrtimin, por të marrë prova të reja për zbardhjen e rastit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button