KosovëLajme

E braktisi partinë për Albin Kurtin, a po e përcakton fatin e Osmanit për presidente LDK-ja

LDK mund ta bëjë presidente Vjosa Osmanin.

Sot ka ndodhur një takim midis kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku dhe midis pretendentes për presidente të vendit, Vjosa Osmani.

Pas këtij takimi, të dy palët janë deklaruar për media duke e lënë edhe më tutje në mjegull mundësinë e Vjosa Osmanit për t’u bërë presidente e që pothuajse varet krejtësisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës, shkruan lajmi.net.https://gjc.gjirafa.com/Home/Index?type=3&gjid=95008956&minCPM=0.5&v=2.1&guid=30762311baa04ab4aa2623f17bf9c521a4d7c5ee419b45838093d6f548140287

Abdixhiku për media pas takimit me Osmanin tha se është diskutuar për platformën e Osmanit si presidente dhe për rolin e saj dhe ka pohuar se nuk kanë vërejtje rreth përmbajtjes së platformës.

Gjithashtu, Abdixhiku ka potencuar se në këtë takim nuk është folur rreth votës pro ose kundër të Lidhjes Demokratike të Kosovës por që është paralajmëruar se do të ketë edhe takime të tjera midis dy palëve.

“Pas ftesës së zonjës Osmani ne sot kemi mbajtur takim bashkë me nënkryetarin Haziri dhe në këtë takim kemi diskutuar çështjen në interes rreth formimit të Presidencës.Ka qenë takim pozitiv dhe është zhvilluar në të mirë për gjithë çfarë është zhvilluar deri më tani.Kemi diskutuar platformën që Osmani ka për presidente e që dëshiron të ndërtojë në rolin e saj që synon, në këtë platformë kemi dhënë diskutimet tona. S’kemi vërejte sa i përket përmbajtjes së platformës. Poashtu kemi diskutuar pozicionin e saj karshi akterëve partiak në të ardhmen.Kemi avancuar në këto diskutime, do të kemi edhe një takim të ardhshëm, në ndërkohë do ti kthehemi organeve të partisë për t’i informuar për këtë takim.Besoj që pas takimeve të ardhshme do të kemi edhe qëndrimin tonë përfundimtar”,tha Abdixhiku.
Se do të ketë edhe takime të tjera midis Abdixhikut dhe Osmanit e ka konfirmuar edhe kjo e fundit e cila ka shprehur besimin tek ish-kolegët e saj brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës se do t’ia japin votën për t’u bërë presidente.

Por, sa janë mundësitë e Vjosa Osmanit?

Zgjedhja e presidentit ka nevojë që në dy raundet e para të votimit t’i ketë dy të tretat e votave të numrit total të deputetëve në Kuvendin e Kosovës e që nënkupton gjithsej 80 vota.

Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në të tri votimet duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë. Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Deri më tani është dëshmuar se Lëvizja Vetëvendosje me 58 deputetë ka mbështetjen edhe të 9 deputetëve të pakicave jo-serbe bazuar në ditën e votimit të qeverisë së re të udhëhequr nga Albin Kurti.

Zgjedhja e shpejtë e presidentit ka qenë kërkesë edhe e vendeve të QUINT-it të cilat kanë thënë se qeveria e ka si detyrë të parë këtë çështje.

Analisti dhe njohësi i çështjeve politike, Rasim Alija thotë se situata aktuale politike po thjeshtohet duke u reduktuar në atë se ose do të jetë presidente Vjosa Osmani ose vendi do të shkojë në zgjedhje.

Sipas analistit Alija, barra kryesore dhe përgjegjësia bie mbi koalicionin qeverisës që t’i sigurojë votat për ta bërë Osmanin presidente, por gjithashtu shprehet se ka përgjegjësi edhe mbi opozitën.

“Gjërat po vijnë duke u reduktuar deri në mundësinë ku do të zgjidhet Vjosa Osmani presidente dhe nëse nuk zgjidhet vendi hyn në këtë krizën Kushtetuese e që rrjedhimisht produkt i ka zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Se kush është përcaktues për zgjedhjen e Osmanit presidente mund të gjejmë përcaktues shumë, mirëpo është detyrë dhe përgjegjësi e koalicionit qeverisës në radhë të parë t’i sigurojë votat për zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, pa çka ky proces do të duhej të kishte edhe mbështetjen e opozitës.”, tha analisti Alija.

Tutje, ai shprehet se pavarësisht deklarimeve të subjekteve politike, vetëm AAK-ja mund të konsiderohet e sigurt se nuk do të qëndrojë në sallë kur të votohet Osmani pasi kanë pasur Ramush Haradinajn si kandidat për president, por ai sheh mundësinë tek një pjesë e deputetëve të PDK-së dhe te grupi parlamentar i LDK-së që Osmani të bëhet presidente.

“Ne kemi parë deklarime të ndryshme nga subjektet opozitare mirëpo unë jam i bindur se nuk janë të qarta qëndrimet e asnjërit subjekt politik përfshirë edhe Partinë Demokratike të Kosovës që ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e seancës ku do të zgjedhet presidenti. Pastaj kemi Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, por ajo që mund të themi me siguri është se në rastin e AAK-së ka mundësi reale të mos merret pjesë edhe për shkak të kandidimit të ish-kryeministrit Haradinaj si kandidat për president dhe kjo mund të shihet si taktikë ose manovër politike që ta kemi një arsye të thuhet se ne kemi pasur kushtin dhe ka përfunduar gjithçka. Pra AAK-ja edhe mund të mos marrë pjesë. Sa i përket Lidhjes Demokratike dhe Partisë Demokratike të Kosovës jam i bindur se deputetë të caktuar ose në rastin e LDK-së komplet grupi parlamentar, por sa i përket PDK-së ka deputetë që mund ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente.”, tha Alija.

Por, lidhur me këtë çështje sot u.d i kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka ripërsëritur se PDK nuk ka votë për Vjosa Osmanin dhe se ky subjekt politik e konsideron si figurë përçarëse.

“Partia Demokratike e Kosovës nuk ka votë për Vjosa Osmanin për presidente të ardhshme të Kosovës. Ajo është treguar një figurë përçarëse, aspak përbashkuese dhe nuk e përfaqëson unitetin e popullit. Duke qenë e motivuar partiakisht dhe që pëfaqëson interesat e vetëm një partie dhe liderit të saj, znj. Osmani nuk mund të jetë aspak e denjë për pozitën e presidentes. PDK-ja nuk do ta tradhëtoj besimin e votuesve të saj. Ne jemi partia e vetme në opozitë që do ta ballafaqojmë deri në fund pushtetin e ri, do t’i përfaqësojmë qytetarët e Kosovës dhe do ta mbajmë përgjegjëse për çdo premtim e vendim. PDK sikurse e kemi thënë gjatë zgjedhjeve, do të jetë fronti i vetëm politik në Kosovë kundër boshtit populist të përfaqësuar nga z. Kurti.”, thotë Hoxhaj në deklarimin e tij.

Në anën tjetër, analisti Alija thotë se subjektet politike opozitare nuk janë të gatshme për zgjedhje dhe do të kalkulojnë mbi këtë premisë kur flitet për votimin ose jo të Osmanit për presidente të vendit.

“Subjektet politike duhet ta dinë se produkti i dështimit të zgjedhjes së presidentit janë zgjedhjet e reja dhe këtu hyjnë kalkulimet e partive politike se çfarë do të ndodhte në zgjedhjet e reja të parakohshme. Me një PDK e cila është në stadin e saj ku liderët i ka në proces gjyqësor dhe është në fillimin e reformave të saj të nevojshme e të domosdoshme që duhet t’i bëjë, kemi LDK-në ku veç para dy javësh ka ndryshuar ose po tenton ta ndryshojë taktikën e udhëheqjes së partisë në degë e nëndegë, kemi një AAK që po i japin dorëheqje anëtarë të saj në degë e nëndegë dhe do të ishte çmenduri që këto subjekte politike të aludojnë në mosvotim të Vjosa Osmanit sepse rezultati politik i tyre do të ishte trend në rënie.”, tha Alija.

Pyetur lidhur me përgjegjësinë që bie mbi Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe mbi rolin që e ka ky subjekt politik në zgjedhjen e presidentit Alija shprehet se nuk duhet të shihet si tabelë qitjeje pasi zgjedhja e presidentit është në radhë të parë përgjegjësi e mazhorancës, qeverisë dhe Kuvendit.

“Nuk duhet të shihet si tendencë për fajësim ose shfajësim të LDK-së cili do të jetë vendimi i saj dhe nuk duhet të bëhet asnjë subjekt politik tabelë qitjeje pavarësisht cili do të jetë vendimi i LDK-së dhe nuk duhet krijuar narracioni se zgjedhja ose moszgjedhja e presidentit të Kosovës është tek LDK-ja. Së pari është përgjegjësi e mazhorancës dhe pastaj qeverisë dhe Kuvendit që të sigurojë marrëveshje dhe kompromise të tilla që të ketë votim të mundshëm të presidentes, pra duhet hequr ideja e shënjëstrimit e një subjekti politik.”, shprehet Alija.

Ai thotë se LDK-ja është në tension të dy indikatorëve, nga njëra anë vota pro Osmanit pasi ajo ishte kandidate për kryeministre e këtij subjekti politik dhe indikatori i dytë negativ që ka të bëjë me dëmin që Osmani ia ka shkaktuar LDK-së me ndarjen e partisë.

Por, Alija thotë se qasja e deputetëve të Osmanit në Kuvend dhe mundësia e një ribashkimi të Vjosa Osmanit me LDK-në e cila ka zgjedhur kryetarin e ri do të ndikojnë edhe në vendimin e LDK-së.

“Ka zëra që thonë që LDK-ja, madje në mesin e tyre mund të jem edhe unë që LDK-ja duhet ta votojë Vjosa Osmanin sepse jo më shumë se një vit e gjysmë më herët ka qenë kandidatja e këtij subjekti politik për kryeministre të vendit. Në këtë kuptim do të duhej ta votojë, por është argumenti tjetër që thotë se Vjosa Osmani i ka bërë shumë dëm LDK-së duke e çarë partinë dhe duke marrë njerëz të LDK-së me vete e duke iu bashkangjitur një subjekti politik. LDK-ja do të duhej ta gjejë mesin më të mirë për elektoratin e vet dhe një bashkim i mundshëm do të mbetet të shihet dhe këto takimet Abdixhiku – Osmani a mund të shihen si ribashkim i LDK-së me Listën Vjosa dhe si do të sillen deputetët e Listës Vjosa në Kuvend.”, tha Alija.

Kosova duhet ta zgjedhë presidentin deri më 5 maj pasi kjo datë shënon edhe fundin e afatit Kushtetues për ta përfunduar këtë proces dhe deri atëherë mbetet të shihet nëse mazhoranca, qeveria, kuvendi dhe vet Vjosa Osmani do të gjejnë modalitetet që të evitohet një krizë e re politike në Kosovë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button