
Në Gjykatën Themelore Penale Shkup nga burgu Idrizovë sot është dërguar edhe ish ministrja e Punëve të Brendshme Gordana Jankulloska për ta dëgjuar gjykimin për lëndën “Target-Fortesa”, që ka të bëjë me përgjimin masiv dhe shkatërrimin e pajisjes nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK).
Jankulloska në “Idrizovë” e vuan dënimin me burg prej katër viteve për furnizim të mercedesit të blinduar në rastin “Tank”.
Ish ministrja e Punëve të Brendshme është akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe autorizime, në pjesën për shkatërrim të pajisjes, ndërsa për përgjimin, nga i cili ka pasur rreth 23.000 biseda të saj, ka kërkuar të vendoset në listën e të dëmtuarve.
Jankulloska në fjalët e saj përfundimtare para Gjykatës tha se ndërgjegjen e ka të pastër, si dhe që nuk e ka bërë veprën për të cilën e akuzojnë. Ajo potencoi se Gjykata mund ta plotësojë drejtësinë vetëm nëse sjell gjykim për ta shfajësuar atë. Siç sqaroi Jankulloska, teoria se ka ndihmuar në shkatërrimin e pajisjes për përgjim nuk është mbuluar me asnjë dëshmi, dhe sipas saj, e rëndësishme është të bëhet dallim i asaj që ka ndodhur para se të përgatitet dhe dorëzohet për nënshkrim vendimi për formim të Komisionit për shkatërrim të sistemeve të përgjimit.
Gjykimi për rastin “Target-Fortesa”, do të jetë i shkallës së parë, ndërsa palët do të kenë të drejtë të ankesës deri te Gjykata e Apelit.(Zhurnal.mk)