Kosovë

Kurthi i PDK-së po e shkatërron për herë të dytë LDK-në!

Përgjegjësit kryesorë për dështimin e mbrëmshëm në procesin e zgjedhjes së Vjosa Osmanit si presidente janë Partia Demokratike dhe AAK e Ramush Haradinajt. Nuk kisha besuar se zoti Haradinaj për shkak të ambicies së tij për t’u bërë president do t’i njësonte qëndrimet e veta me ato të PDK-së. Por edhe kjo ndodhi. Të dy këto parti bënë obstruksion dhe janë përgjegjësit kryesorë të krizës politike në vend.

Nga ana tjetër liderët e të dy partive e dinë se kjo krizë është e panevojshme, e pa bazuar në argumente dhe në funksion të tezës serbe se “Shqiptarët nuk dinë dhe nuk munden të bëjnë shtet e të ngrejnë institucione”! Megjithatë këmbëngulin në bllokimin e institucioneve të vendit dhe për pasojë në funksionalizimin e shtetit. Në fakt Enver Hoxhaj e kishte një “argument”. Tha se “nuk dëshiron një president njëpartiak”! Dhe harroi se Hashimi ishte më shumë se njëpartiak, ishte i njësekti. Harroi se ish-presidenti i shkoi në një të natës në shtëpi një deputeti për t’ia premtuar një vend për konsull djalit të tij, në këmbim të votës kundër një partie e pro një partie tjetër, kundër një qeverie e pro një qeverie tjetër! Pa dënuar këtë akt të pashembullt në historinë e shteteve, Hoxhaj nuk do të duhej kurrsesi të përdorë alibinë e njëanshmërisë për të votuar ose mundësuar zgjedhjen e një presidenti/e tjetër!

Ngado që ta analizosh ngjarjen e mbrëmshme, duket qartë se PDK nuk ka ndërmend të ndryshojë. PDK është e kapur keq. As PDK, as AAK nuk e kanë lexuar votën e 14 shkurtit. Ajo votë u bën thirrje këtyre dy partive politike të Kosovës që të reflektojnë në politikat e tyre, në aksionet dhe qëndrimet politike. Deri sot ato janë bërë më sektare, më të mbyllura, më inerte dhe më agresive.

Unë e pranoj se masën e agresivitetit e rriti vendimi i papërgjegjshëm i Albin Kurtit për të çuar në kuvend një ligj pa procedurë, pa konsulta, pa diskutime në parlament. Ky ishte një akt i dënueshëm dhe më la shijen e sjelljeve politike ballkanike, madje tipike allashqiptarçe. Por ndërsa LDK e kushtëzoi votën e saj për presidenten me tërheqjen e ligjit dhe ia arriti kësaj, PDK dhe AAK e shndërruan kundërshtinë e tyre nga kundërshti për Albinin në kundërshti për Kosovën. Kaluan masën. Si gjithmonë! Pa u menduar gjatë! Pa e ditur se çfarë pasojash kanë veprimet e tyre. Madje duke harruar se i vetmi person i interesuar politikisht për krizën është kundërshtari I tyre, Albin Kurti. E kësisoj duke punuar që Kurti t’ia arrij këtij qëllimi! Duke harruar gjithashtu se i vetmi vend që bën festë nga obstruksione të tilla është Serbia!

Megjithatë duhet të besohet se PDK dhe AAK edhe kësaj radhe e transferuan përgjegjësinë e tyre te Lidhja Demokratike e Kosovës. Njësoj siç ia la Hashim Thaçi LDK-së së Mustafës pataten e nxehtë të rrëzimit të qeverisë Kurti në prill të vitit 2020. Edhe asokohe ishte PDK, madje bashkë me të AAK, ajo që e rrëzoi de facto qeverinë legjitime LDK-VV të Albin Kurtit. Por “ia lanë kopilin” në derë Lidhjes Demokratike. Gjetën aty pikërisht dy prej këtyre që edhe sot janë në shërbim të kësaj strategjie, Agim Veliun dhe Avdullah Hotin, bashkë me kryetarin e atëhershëm, Isa Mustafa.

Duke i angazhuar këta në luftën kundër qeverisë ku bënin pjesë, Hashim Thaçi i joshi gjithashtu edhe me pushtet. Ua garantoi postet si kryeministër e ministra. Ndërkohë u kujdes që PDK-në e tij ta mbajë jashtë kësaj agjende. Nuk pranoi qoftë dhe një votë deputeti të PDK-së ta votonte qeverinë Hoti. Prandaj shkoi në një të natës te deputeti i AAK-së. Gjithçka e realizoi atëherë me duart e Isës, Agimit e Avdullait. Kjo është arsyeja e vërtetë pse LDK ra në 15 deputetë, ndër të cilët gjendet dhe treshja destruktive e skicuar që në skenarin e ish-presidentit Thaçi. Kjo është arsyeja pse Partia Demokratike e ruajti një lloj konsistence në zgjedhjet e 14 shkurtit. Koston e shkaktuar nga PDK e mori të gjithën ajo që u vu në krye të një qeverie jo legjitime, LDK.

Edhe mbrëmë koston e gjithë krizës e morën tre deputetët e Lidhjes Demokratike, përkatësisht Agim Veliu, Avdullah Hoti dhe Selmanaj, të ndjekur verbazi nga deputeti Mustafa. Sepse e gjithë vëmendja e opinionit u hoq nga bojkoti i PDK-së dhe AAK-së e u përqendrua te vota e këtyre personave, të cilët gjendeshin në sallë dhe bënin obstruksion në procesin e votimit. Thaçi nga Haga po mundet të hartojë e realizojë skenarë anti-LDK dhe ish-kryeministri i kësaj partie nuk po mundet ta lexojë kurthin që i është ngritur atëherë e sot partisë së tij! Absurditet! Ndoshta edhe mungesë përvoje politike. Por ama Isa nuk është pa përvojë dhe askush nuk mund ta besojë se Hoti e Veliu nuk janë në kontakt me ish-kryetarin për të formuluar dhe realizuar veprimin politik anti-shtet! Fatkeqësisht edhe anti-LDK.

Personalisht nuk e përjashtoj mundësinë që këta persona këtë aksion politik anti-shtet ta kenë adresuar edhe te kryetari i ri, Lumir Abdixhiku. Mospjesëmarrja e tyre në votimin e presidentes është njëkohësisht kundërshti e vendimit të kryesisë së partisë, në të cilën nuk bën pjesë Agim Veliu. Atij i mbetet arma e mandatit të deputetit për ta gjunjëzuar Lumir Abdixhikun. Avdullah Hoti, i cili duket si “melaqe” po dëshmon se nuk qenka aq i paaftë në intriga prapa shpine!

Të shohim se çfarë do të ndodhë sot!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button