Slider

“Ligj i ri për gjendje lufte”, Pendarovski: Të përgatitemi me kohë për krizat e mundshme

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme do të thotë mbrojtje nga rreziku, prandaj nevojitet ligj i ri për gjendje lufte dhe të jashtëzakonshme, me të cilin, krizën e ardhshme do ta presim të përgatitur, kërkon Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

“Është e qartë se kemi nevojë për ligj të posaçëm me të cilin juridikisht do të rregullohen të gjitha zbrazëtitë me të cilat u ballafaquam kur duhej ta organizonim sistemin në rrethina të jashtëzakonshme vetëm mbi bazë të disa dispozitave të përgjithshme të Kushtetutës. Ligji i ardhshëm duhet të jetë produkt i një dialogu mes ekspertëve, por edhe mes opinionit publik, në mënyrë që të sillet mbi bazë të konsensusit më të gjerë të mundshëm politik”, porositi Pendarovski.

Në Ministrinë e Drejtësisë tashmë është formuar një grup pune, i cili përbëhet nga ekspertë të shquar dhe komuniteti akademik, të cilët në periudhën që vijon do të punojnë në përgatitjen e projekt-ligjit për gjendje lufte dhe të jashtëzakonshme. Ministri Bojan Mariçiq, tha se është bërë analizë e përvojave të institucioneve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, si dhe dekretet me fuqi ligjore.

“Çështjet më të rëndësishme të cilat duhet rregulluar në ligj janë mënyra e shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, roli i Kuvendit, kohëzgjatja dhe efekti ligjor i dekreteve, si dhe karakteri i dekreteve, respektivisht, riprecizim i asaj çfarë duhet dhe çfarë nuk duhet të jetë lëndë e dekreteve qeveritare”, tha Mariçiq.

Me po të njëjtin qëndrim është edhe deputetja e VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Dafkova. Ajo thotë se ligji aktual për menaxhim me kriza del nga suazat e gjendjes së jashtëzakonshme, sepse është e ngushtë dhe i përfshin vetëm fatkeqësitë natyrore dhe epidemitë.

“Interpretimi se ky ligj ka të bëjë me ligjin e Qeverisë fare nuk qëndron, sepse nëse shikoni rregullativën krahasuese, do të shihni se këto janë ligje për kriza, gjendje lufte, për urgjencë etj… Kjo është çështje kushtetuese. Për fat të keq ose ja për fat të mirë, pajtohem me Renatën. Unë mendoj se ligji për menaxhim me kriza nuk ka bazë kushtetuese, nuk mund ta konkretizojë gjendjen e cila nuk është përcaktuar me Kushtetutë. Këtu ka diçka të çuditshme”, deklaroi Siljanovska.

Përvoja nga gjendja e jashtëzakonshme e shkaktuar vitin e kaluar nga pandemia me koronavirusin është arsyeja për debatin profesional dhe publik që Presidenti Stevo Pendarovski e ka iniciuar me qëllim miratimin e një ligji të posaçëm që rregullon kompetencat në një gjendje të jashtëzakonshme të ardhme. Konferenca paraqet fillim të një debati më të gjerë të opinionit profesional dhe të përgjithshëm lidhur me nevojën e përgatitjes së një zgjidhjeje ligjore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button