BotaLajme

Mashtroi me kredinë e COVID-it, gjykata zvicerane dënon me 26 muaj burg shqiptarin

Një 35-vjeçar shqiptar nga Kosova, sipërmarrës ndërtimi, nga Lucerni ka përfunduar në burg, pasi akuzohet se ka përfituar pa të drejtë një kredi Covid-i prej 110,000 frangash. Gjykata penale e ka dënuar atë të mërkurën për mashtrim, shkruan sda.ch.

Personi në fjalë kishte dorëzuar formularin për ndihmë emergjente të koronës në bankën komerciale të ndërmarrjes së tij të ndërtimit, në mars të vitit 2020.

Sipas deklarimit të tij, ai kishte frikë nga bllokimi i ndërtimtarisë, si rezultat i pandemisë në këtë kohë, transmeton albinfo.ch. Kërkesa për kredi, sipas tij, ishte një masë paraprake. Prokurori publik, pas hetimit ka akuzuar shqiptarin se këtë shumë parash e ka keqpërdorur. Sipas prokurorit, kompania nuk kishte rënë në vështirësi financiare për shkak të pandemisë.

Pasi kishte marrë paratë, shqiptari i kishte dhënë babait të tij një hua prej 15,000 frangash. Përveç kësaj, i akuzuari kishte bërë blerje të tjera, të cilat nuk do t`i bënte askush që ka pengesa të likuiditetit ose u trembet atyre. Për këtë arsye, ai ka kërkuar një dënim me burg prej 20 muajsh për mashtrim dhe falsifikim si dhe një dëbim pesë vjet nga vendi për kosovarin me disa precedentë penale.

Avokati mbrojtës, nga ana tjetër, ka kërkuar pafajësi për klientin e vet. Ai ka pretenduar se banka duhet të kishte kontrolluar informacionin e klientit të tij para se t’i transferonte paratë tek ai, përcjell albinfo.ch. Kosovari, sipas tij, kishte supozuar se kishte të drejtë të merrte kredinë sepse ishte i shqetësuar për gjendjen financiare të kompanisë.

Sidoqoftë, gjykata e ka dënuar 35-vjeçarin me dy vjet e dy muaj burgim për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe menaxhim të shumëfishtë mashtrues të biznesit. Ai duhet t`i bëjë 10 muaj burg, ndërsa pjesën tjetër e ka me kusht për një periudhë prove prej 4 vjetësh. Përveç kësaj, atij i është shqiptuar ndalimi 5-vjeçar i zhvillimit të aktiviteteve në sektorin ku ka punuar. Ai gjithashtu duhet të paguajë 97.000 franga kompensim për institutin e garancisë që ka siguruar kredinë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button