Sport

Milan dhe Man United në “luftë” për një vend në çerekfinale të Ligës së Evropës

Një javë kaloi shpejt dhe klubet tani i rikthehen pa humbur kohë ndeshjeve të kthimit në fazën e 1/8-ave në Europa League. Të enjten e kaluar gjashtë skuadra hodhën një hap të sigurt drejt shortit të fazës çerekfinale, që do të hidhet ditën e premte në mesditë, në Nyon të Zvicrës.

Me shumë gjasa, Ajaxi i Amsterdamit, Villarreali, Roma, Arsenali, Tottenhami dhe Granada do të jenë mes tetë skuadrave më të mira që do të sulmojnë trofenë në edicionin e 12-të të Europa League-s, për shkak të fitoreve me diferencë që siguruan në ndeshjet e vajtjes, kështu që vëmendja natyrshëm përqëndrohet te takimet Milan – Manchester United dhe Rangers – Slavia Praha.

Që kur u hodh shorti, përballja që ra në sy menjëherë ishte pikërisht ndeshja United – Milan e në fakt edhe ndeshja e parë që zhvilluan këto dy ekipe në stadiumin “Old Trafford” nuk zhgënjeu aspak. Derbi i “djajve” në “Teatrin e Ëndrrave” pati nga të gjitha, megjithatë në fund dy ekipet nuk shkuan përtej një barazimi me gola, duke shtyrë në këtë mënyrë gjithçka për në duelin e kthimit.

United konsiderohej si klubi favorit për të triumfuar në edicionin e sivjetshëm jubilar të aktivitetit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës, madje për hir të së vërtetës në ndeshjen e parë bookmakersat vendas e kuotonin shumë ulët ekipin e drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskajer, por në fakt ngjarjet në Ishull rrodhën krejt ndryshe, pavarësisht se goli i barazimit nga kuqezinjtë u realizua vetëm në çastet e fundit të takimit.

Çdonjëri që ka parë vetëm rezultatin si dhe momentin e shënimit të golave e ka patur vërtet shumë të lehtë për të krijuar një ide të gabuar në lidhje me mënyrën se si është zhvilluar ndeshja. Ekipi i famshëm lombard dominoi për pjesën më të madhe të kohës dhe vendasit ishin me shumë shumë fat, që dolën të pamundur nga ndeshja e vajtjes. Kështu, ndonëse pa shumë lojtarë të rëndësishëm në dispozicion, trajneri Stefano Pioli e orientoi skuadrën e tij për t’u rreshtuar lart, me synimin për të shënuar një gol të shpejtë.

“Red devils” u kapën në befasi nga furia, entuziazmi dhe sulmet e njëpasnjëshme të ekipit të Milanit, që ia doli mbanë për të tundur rrjetën e United plot dy herë në më pak se çerek ore lojë. Nëse në rastin e parë gjyqtarët kishin plotësisht të drejtë, në episodin e golit të dytë, vetëm pak minuta më vonë, ata bënë lëmsh gjithçka dhe një pjesë e mirë e fajit madje bie pikërisht mbi njerëzit e ngarkuar me Sistemin VAR, sepse, pavarësisht përsëritjeve të shumta të pamjeve, nga çfarëdolloj këndi i mundshëm, nuk u vu re kurrfarë prekje e topit me dorë nga mesfushori nga Bregu i Fildishtë, Franck Kessie.

Një gol i shpejtë i kuqezinjve sigurisht do të kishte patur një ndikim tjetër në rrjedhën e lojës, sidoqoftë vendasit ia dolën për të zhbllokuar rezultatin me anë të 18-vjeçarit nga Bregu i Fildishtë, Amad Diallo, që shënoi golin e tij të parë në karrierë për “Djajtë e Kuq”, pas vetëm 5’ në fushën e lojës, duke shfrytëzuar në maksimum daljen e gabuar të kapitenit Gianluigi Donnarumma.

Skuadra e Piolit shtoi përpjekjet dhe e mbylli në portë ekipin e drejtuar nga trajneri Ole Gunnar Solskjaer, sidoqoftë pasi shpërdoruan dy mundësi shumë të mira, fillimisht me kapitenin Harry Maguire dhe më pas me uellsianin Daniel James, “Djajtë e Kuq” pësuan në mënyrë naive në kohën shtesë, falë mbrojtësit Simon Kjaer danez.

Në takimin e parë trajneri norvegjez kreu tri zëvendësime çerek ore para fundit, pikërisht për të mbrojtur rezultatin, ndërsa tani 48-vjeçari nga Kristiansundi ka përgjegjësinë për të gjetur zgjidhjet e duhura për të përmbysur shifrat 1-1 të ndeshjes së parë.

Pioli ka rekuperuar ish-sulmuesin e “Red Devils”, Zlatan Ibrahimovic, gjithsesi sulmuesi shtatlartë suedez do ta nisë takimin nga stoli, ndërsa në krahun tjetër në harkun e vetëm katër ditëve Solskjaer luan mundësitë e vetme për të fituar trofe në këtë sezon, duke patur parasysh që të dielën e ardhshme do të masin forcat në “King Poëer Stadium”, me Leicester City-n, në fazën çerekfinale të FA Cup.

Ndeshja do të luhet në orën 21:00, në stadiumin “San Siro” dhe do të drejtohet nga kryesori gjerman Felix Brych, ndërkaq sa i përket bilancit të përgjithshëm në Kupat e Europës United ka humbur 4 nga 5 sfidat e luajtura me kuqezinjtë në Itali, gjithsesi përjashtim bën triumfi 3-2, i regjistruar pikërisht në përballjen e fundit të “Djajve të Kuq”, në stadiumin “Giuseppe Meazza”, në fazën e 1/16 në Champions, 11 vjet më parë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button