KosovëLajme

Molliqaj: Demokracia në vendin tonë do të rrezikohet seriozisht

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj ka folur për ditën e nesërme kur edhe do të mbahen zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.

Me anë të një postimi në Facebook, Molliqaj ka thënë se nesër do të konfirmohen disa fakte të pashmangshmel se projektit politik të 20 viteve të fundit po i kalon koha, se struktura politike në Kosovë do të ndërrojë me themel, se demokracia në vendin tonë do të rrezikohet seriozisht, se shoqëria po vihet në lajthitje e se ngjizja e rezistencës së vjetër vetëm sa ka filluar, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se ka edhe një ditë kohë që qytetarët të tuajnë demokracinë, duke mos i dhënë udhë që një pushtet të rrezikojë atë.

“Prandaj të hënën nuk fillon epoka e këtij pushteti. Sepse ky pushtet tashmë e ka shtrirë diskursin e tij. Këtij pushteti i janë dorëzuar në diskurs shumica e partive dhe opinionbërësve të këtij vendi. Kjo nuk është befasi, siç nuk është normale”, ka shkruar Molliqaj.

Postimi i plotë i Molliqajt në Facebook:

“E vjetra po vdes, kurse e reja nuk po arrin të lindë. E në këtë fazë të ndërmjetme shfaqet një larmi e madhe e simptomave të frikshme.” – Antonio Gramsci.

Të dashur qytetarë,

Nesër do të konfirmohen ato që janë bërë të pashmangshme:

– Projektit politik të 20 viteve të fundit po i kalon koha,

– Struktura politike në Kosovë do të ndërrojë me themel,

– Demokracia në vendin tonë do të rrezikohet seriozisht,

– Shoqëria jonë po vihet sërish në lajthitje,

– Por ngjizja e rezistencës së re veçse ka filluar.

Nesër do të konfirmohet ajo që po duket e pashmangshme. Por ka edhe pak kohë për ta bërë të shmangshme. Ka edhe një ditë kohë që qytetarët ta ruajnë demokracinë duke mos i dhënë udhë një pushteti që seriozisht do ta rrezikojë atë. Pushtet që tashmë po shihet dhe s’ka çka të provohet:

– Kombinim i popullizmit me mendësinë autoritare,

– Centrizëm në ekonomi. Pa asnjë ndërrim strukturor ekonomik. Duke mos i prekur oligarkët e duke mos e rishpërndarë pasurinë. Duke vazhduar t’i lë të pasurit të pasurohen më shumë ndërsa të varfërit të varfërohen më tutje,

– Autonomist në politikë duke dhënë shenjat e para për krijim të Zajednicës,

Prandaj të hënën nuk fillon epoka e këtij pushteti. Sepse ky pushtet tashmë e ka shtrirë diskursin e tij. Këtij pushteti i janë dorëzuar në diskurs shumica e partive dhe opinionbërësve të këtij vendi. Kjo nuk është befasi, siç nuk është normale.

Të hënën fillon epoka e opozitës së re. Epoka e të panënshtruarve, të cilët mund t’i kenë humbur zgjedhjet, mund të kenë bërë gabime, mund t’mos i kenë numrat, por e kanë fuqinë e idealeve për demokraci, zhvillim e barazi. Sepse asnjëherë s’duhet të harrojmë që kurrë s’je pakicë, derisa nuk i nënshtrohesh shumicës.

Të hënën fillon diskutimi rreth llojit të opozitës që duhet të ndërtohet në këtë vend. Sepse nuk mund të përballet suksesshëm regjimi i ri, me mënyrën e vjetër të të menduarit. Prandaj duhet të bashkohemi rreth një diskursi të ri opozitar. Një diskursi që e shpjegon qartë çka po i ndodhë Kosovës. Që hapë horizont përkundër mbylljes që do të tentojë të sjellë pushteti i ri. Një diskurs i majtë që në qendër të vet ka barazinë, demokracinë dhe përparimin.

Sepse kërkesa për pushtim të hapësirës tashmë është shtypje. E çdo shtypje prodhon rezistencën. Pretendimi për fund te historisë është veçse provë për subjektin e përkohshëm. Të dyja këto përbëjnë fushën e aksionit. /Lajmi.net/

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button