Slider

Naser Eshtrefi: Ishte gjithçka e rastësishme, Angeli me babin e tij më rrahën, thikën e gjeta në tokë

Në Gjykatën Penale të Shkupit sot është mbajtur seancë për rastin e therjes me thikë të maturantit Angel Petkovski, në maj të vitit 2014-të në Gjorçe Petrov, në të cilën i akuzuar është Naser Eshtrefi. Sot është pyetur Eshtrefi, në lidhje me ngjarjen dhe rrethanat në të cilat ka ndodhur. Ai tha se është i penduar për ngjarjen dhe se nuk ka dashur ta vret Angelin, por gjithçka ishte e rastësishme. Therjes me thikë i ka paraprirë një zënkë, në të cilën siç shpjegoi Eshtrefi, Angeli me babain e tij e kanë rrahur me dru dhe shkelma, raporton Portalb.mk.

Gjykatëse e lëndës: Diana Gruevska – Ilievska
Prokuror: Darko Jakimovski
Avokat mbrojtës: Ivanka Stojkovska

“Mbetem në deklaratën që e kam dhënë para gjykatës”, tha Eshtrefi.

Në fillim avokatja mbrojtëse i bëri pyetje të drejtpërdrejta, ndërkaq Eshtrefi u përgjigj:

“Nuk e kam planifikuar rastin. Nuk kam pasur qëllim dhe vullnet të ndodh. Kam qenë i lënduar, por nuk kam dorëzuar paraqitje zyrtare për personin që më ka lënduar (babain e Angelit, shkrim i redaksisë), pasi që këtë ia kam lënë gjykatës. Lëndimet ishin të dukshme pasi që më fotografuan në stacion policor. Pendohem pasi që nuk kam dashur të ndodh, gjithçka ishte rastësi”, tha Eshtrefi.

Ai më pas vazhdoi të tregojë se ku ka ndodhur ngjarja dhe në çfarë rrethana.

“Ngjarja ka ndodhur në shtegun e poshtëm dhe jo në shtegun me bekaton. Kur ndodhi kisha frikë, ndodhi papritur. Ishte e rrezikuar jeta ime. Tani i ndjeri më ka kapur për fyti dhe aty e ndjeva frikën. Pastaj ndodhi rrahja te shkallët, e argjinaturës. I ndjeri më ka goditur me shqelma, ndërkaq babai i tij me dru. Kur arrita në vendin që u takova me dy personat, ata nuk kishin asgjë në duar. Ata më rrahën, unë u rrëzova ndërkaq kur jam ngritur në këmbë e pash thikën në tokë”, shtoi Eshtrefi.

Naseri disa herë pyetjeve të prokurorit iu përgjigj me “nuk më kujtohet”, ndërkaq prokurori insistonte që të nxjerrë përgjigje, duke i përmendur deklarata të cilat paraprakisht Naseri i ka dhënë para prokurorisë dhe gjykatës, transmeton Portalb.mk.
Naser Eshtrefi në gjykatë, foto Portalb.mk/Arbnora Memeti

Ndaj kësaj reagoi avokatja, e cila tha se po bëhet keqtrajtim i të akuzuarit, pasi e detyron atë të përgjigjet.

“Kur thoshte dëshmitari nuk më kujtohet nuk reagonit, ndërkaq kur thotë i akuzuari insistoni në përgjigje. Tregoi i akuzuari se gjithçka ka ndodhur në befasi”, tha avokatja.

Prokurori theksoi se nuk është e logjikshme që në një vend të hapur të mos e ketë parë thikën më herët, por vetëm pasi që është ngritur në këmbë pas goditjeve nga dy personat.

Mbrojtja edhe për këtë reagoi duke theksuar se “nuk i lejohet Prokurorisë të parashtrojë pyetje të këtillë pasi që aftësia për të parë ose jo është individuale”.

Gjykata e pranoi ankesën e mbrojtjes dhe nuk e lejoi pyetjen.

Eshtrefit iu kërkua që në foto-dokumentacionin ta tregojë vendin e saktë se ku ka ndodhur rrahja.

“Pasi e mora thikën, fillova ta tund atë. Se si dhe ku kam goditur nuk e di”, vazhdoi me shpjegimin e rastit.

Ai tha se pastaj ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është fshehur në një shtëpi, ndërkaq kur e ka parë një furgon të policisë ai vetë ka shkuar dhe është dorëzuar.

“Fillimisht më dërguar në stacionin policor në Gjorçe Petrov, ndërkaq më pas Kisella Vodë, ku dhe më fotografuan. Derisa isha rrugës prej në Gjorçe në K.Vodë mu përkeqësua gjendja shëndetësore dhe kisha të vjella, s’më kujtohet nëse pastaj i kam thënë policisë për këtë”, tha Eshtrefi.

Të nesërmen ai është dërguar para gjykatësit të procedurës paraprake.

Sipas procesverbalit që Prokuroria e lexoi, Eshtrefi ka thënë se një polic e ka goditur me shkop gome në Gjorçe Petrov, ndërkaq i njëjti edhe e ka sharë.

Prokurori ia tregoi një deklaratë të tij të cilën e ka dhënë para tij, ku ka thënë se “polici nuk e di sa herë më ka goditur me shkop gome”.

“Nëse kam thënë ashtu, ashtu është”, tha Naseri.

Prokurori vazhdoi me leximin e procesverbalit të gjykatësit të procedurës paraprake, në të cilën, ai ka thënë se ndjehet mirë dhe nuk ka nevojë për mjek.

“Nuk besoj të kem thënë që ndjehem mirë, duke e pasur parasysh se kam qenë i rrahur dhe me gjithë ato lëndime, me siguri është ndonjë gabim nuk kam thënë që jam mirë”, tha Eshtrefi.

Prokuroria disa herë gjatë seancës së sotme tha se Naseri po jep deklarata të ndryshme për ngjarjen, vendin, mënyrën e veprimit të tij, pozitën e pjesëmarrësve dhe kohën e ngjarjes, përcjellë Portalb.mk.

“Duke e pasur parasysh këtë, gjykata ta marrë parasysh deklaratën e të akuzuarit të dhënë para Prokurorisë, pasi që siç e pranoi edhe vetë i akuzuari, atëherë kujtesën për ngjarjen e ka pasur më të freskët. Është me rëndësi të veçantë të theksojmë se tërë ngjarja është zhvilluar për 25 sekonda “, tha prokurori.

Gjykatësja ia dha fjalën Eshtrefit, nëse ka diçka për të thënë që vlerëson se është e nevojshme

“Një pjesë e incizimeve mungojnë dhe nuk mund të shihet”, tha Naseri.

Gjykatësja shtoi se incizimet ekzistuese nuk e tregojnë tërë rastin.

“Incizimet nuk mund ta tregojnë tërë gjendjen, pasi që nuk ka incizim nga vendi i argjinaturës ( vendi ku ka ndodhur ngjarja, shkrimi i redaksisë)”, tha gjykatësja.

Në fund të seancës, avokatja kërkoi nga gjykatësi që të bëhet rikonstruimi i ngjarjes, pasi që një gjë të tillë e ka kërkuar edhe vetë Gjykata Supreme, e cila e ktheu lëndën në rigjykim.

“Kërkoj që Gjykata të lejojë rikonstruim të ngjarjes , që të pastrohen të gjitha të gjitha çështjet e palogjikshme”, theksoi avokatja.

Prokurori tha se pasi të bëjë analizë të provave, do të deklarohet seancën e radhës.

Paraprakisht në gjykatë dha deklaratë edhe dëshmitari, Dobre Martinovski, një kalimtar rasti në ditën kur ka ndodhur ngjarja.

“Mbetem në dëshminë që e kam dhënë paraprakisht. Isha duke lëvizur nga argjinatura me biçikletë, isha duke shkuar te një shok në Nerez. Prej larg pash një rrëmujë. Pamja ishte e largët dhe nuk mundja të shihja, por njëri e goditi një person tjetër me një send dhe ai u rrëzua. Isha i frikësuar, dëgjova një person duke bërtitur ndihmë, dhe e thirra policinë në numrin 192. Nuk mundja të shoh se sa persona ishin. Mendoj se njëri e kishte një dru në dorë, por pamja ishte e mjegulluar. Avokati nuk pati pyetje”, tha Martinovski.

Ndryshe, Prokuroria vazhdon ta akuzojë Naserin sipas të njëjtave pretendime, gjegjësisht sipas të cilit dhe u dënua me 14 vjet burg për vrasje me paramendim, ndërkaq mbrojtja thotë se vepra është kryer pa paramendim, në afekt dhe në mbrojtje të nevojshme. Naseri tha se nuk ndjehet fajtor.

Asokohe, vrasja e 20 vjeçarit, ka shkaktuar revoltë të madhe te qytetarët e kësaj lagjeje, të cilët e vandalizuan disa qindra banorë të së njëjtës lagje, për shkak të vrasjes së maturantit. Të njëjtët kanë mbajtur protesta, ku i kanë bllokuar rrugët dhe kanë shkaktuar dëme në disa lokale, pronar të së cilave kanë qenë shqiptarë. Dëmet nga vandalizmi i protestave në Gjorçe kanë mbetur në barrën e pronarëve.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button