Slider

Nesër nis regjistrimi i diasporës!

Prej nesër fillon faza e parë e regjistrimit të popullsisë. E para do të regjistrohet diaspora, të punësuarit në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore dhe familjet e tyre, pjesëtarët e armatës jashtë vendit, të burgosurit dhe të pastrehët.

TV21 kontaktoi me disa përfaqësues të shoqatave në disasporë, se a kanë informacione të mjaftueshme për procedurën e regjistrimit.

Sherif Nuredini mërgimtar në Itali, i cili është kryetar i Shoqatës shqiptare “Shqiponja” thotë se nuk kanë asnjë informacion në lidhje me regjistrimin dhe se është krijuar një huti e madhe.

 “Ne jemi njoftuar vetëm nga interneti dhe jemi munduar ne si mërgatë shqiptare, me një profesor që jeton në vendindje, në ndonjë mënyrë të na informojë se si zbatohen rregullat, se në fakt nuk na informon njeri dhe nuk dimë asgjë se çfarë po bëhet për ne si mërgimtarë dhe si duhet të regjistrohemi dhe cila është mënyra më e mirë. Ne kemi edhe dyshime duhet të them hapur, kemi dyshime se ato regjistrime tona a do të shkojnë në vendin e duhur apo do të anulohen, këtë nuk e dimë qartë”, tha Sherif Nuredini – mërgimtar.

Kadri Ismajli nga Zvicra, pronar i RTV ART thotë se në Zvicër ka minimum 150 mijë qytetarë nga RMV të cilët duhet të regjistrohen. Ai tha se nëpërmjet radios do të kontribuojë në informimin e diasporës mbi regjistrimin, por thotë se as ai nuk ka ende inromata zyrtare nga Ambasada.

 “Nuk kemi informacione nuk kanë ardhur e-maile, nuk e di çka është duke ndodhur. Ne, sidomos unë si gazetar informacionet i kemi marrë duke gjurmuar nëpër rrjetet sociale, duke lexuar dhe duke dëgjuar informacionet që vijnë nga atje. Duke marrë parasysh se ne si banorë rezident, ose jorezident të RMV, paguajmë tatim në vendet tona dhe duhet të regjistrohemi dhe ta dimë që sa dhe ku gjendemi, duke e ditur se Maqedonia kohës së fundit është zbrazur nga shqiptarët, rinia ka depërtuar në të gjithë botën dhe kjo duhet të jetë numri i saktë, që të mos manipulohet me numrat”, theksoi Kadri Ismajli – mërgimtar.

Përndryshe pyetësori për vetë-regjistrim do të jetë i qasshëm nga 1 marsi për diasporën.

Ministria e Punëve të Jashtme ka shpalosur një udhëzues apo video-sqarim i cili shpalos hapat dhe detajet mbi metodën e regjistrimit. Pasi individi të futet në ueb-faqen stat.gov.mk, fillimisht regjistrohet me një e-mail adresë, ku më pas do t’i arrijë një fjalëkalim për regjistrim. Pyetësori është i qashshëm në tetë gjuhë, e vetë-regjistrimi përbëhet nga shtatë ekrane me pyetje mbi personin i cili regjistrohet. Adresa e vendbanimit në Maqedoninë e Veriut, të dhëna mbi anëtarët e familjes, a ka individi një shtetësi tjetër, arsyet e migrimit, statusi martesor e karakteristikat etnokulturore janë disa nga pyetjet e shtrira në aplikacionin online për vetë-regjistrim.

Regjistrimi i mërgatës zgjat deri më 21 prill të vitit 2021.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button