Slider

Një vaksinë e re tregon mbi 89% efektivitet

Një vaksinë e re kundër koronavirusit ka treguar se është 89.3 për qind efektive, në testimet në shkallë të gjerë, në Mbretërinë e Bashkuar.

Vaksina e kompanisë Novavax është e para që tregon se është efektive kundër një varianti të ri të koronavirusit, të zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar, raporton BBC.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, tha se ky është një “lajm i mirë” dhe shtoi se rregullatorët shëndetësorë të Mbretërisë së Bashkuar do ta vlerësojnë vaksinën.

Mbretëria e Bashkuar ka siguruar 60 milionë doza të vaksinës Novavax.

Ato pritet të dorëzohen në gjysmën e dytë të vitit, nëse miratohen për përdorim nga Agjencia Rregullative e Barnave dhe Produkteve Shëndetësore, tha Qeveria britanike.

Deri më tash, Mbretëria e Bashkuar ka miartuar tri vaksina të koronavirusit për përdorim urgjent: Pfizer/BioNTech, Moderna dhe Oxford/AstraZeneca.

Ndryshe nga Pfizer/BioNTech dhe Moderna, Novavax mund të ruhet në temperaturë të rregullt të frigoriferit.

Vaksinimi në Mbretërinë e Bashkuar ka nisur më 8 dhjetor të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Qeverisë, mbi 7.4 milionë njerëz kanë marrë deri më tash dozat e para të vaksinave.

Mbretëria e Bashkuar është vendi më i prekur në Evropë nga koronavirusi dhe ndër më të prekurit në botë./ REL

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button