BotaLajme

Përparësia teknologjike e shtetit njëpartiak kinez, nuk është e pathyeshme

Nga Edward Lucas, Center for European Policy Analysis

I mbani mend “burrat e vegjël të veshur me uniforma të gjelbra”? Ato forca anonime  paraushtarake drejtuan përpjekjet ekspansioniste të Kremlinit në Ukrainë. Në mesin e një kaosi të krijuar artificialisht, ata dukeshin të pandalshëm.

Tani duket se mund të ndalen dhe të sprapsen madje. Një vend i drejtuar mirë, mund të bllokojë, gjurmojë, ndalojë dhe nëse është e nevojshme edhe t’i qëllojë për vdekje këta ndërhyrës në punët e një vendi tjetër.

Kërcënimet e kësaj dekade janë shumë më të rënda, duke përfshirë elektronet dhe jo atomet, fuqinë e trurit dhe jo forcën brutale. Fushëbetejat e sotme variojnë nga informatika deri tek teknologjia e mbikëqyrjes dhe trupi i njeriut.

Autorët mund të identifikohen por me shumë vështirësi. Madje ata janë edhe më të vështirë për t’u arrestuar, për shkak se mund të mos jenë njerëzorë. Fanta-shkenca, mund të jetë një udhëzues më i mirë sesa manualet e strategjive klasike.

Ajo që është sot e mundur, mund të bëhet e pamundur nesër (për shembull aftësia për të qenë anonimë në një turmë), dhe anasjelltas:kompjuterët kuantikë, do të jenë së shpejti në gjendje që të çojnë mesazhe më të fshehta të kriptuar brenda disa minutash, dhe që mund të kërkojnë vite për t’u ç’koduar.

Kina gëzon sot një përparësi të jashtëzakonshme në teknologji, që nga dronët, bateritë dhe polimerët, deri tek inteligjenca artificiale dhe realiteti virtual. Shteti leninist njëpartiak, i kushton burime të mëdha financiare dhe njerëzore kërkimit dhe zhvillimit, dhe drejton programe të pamëshirshme të spiunazhit industrial.

Por pasuria e tij më e madhe është kapitalizmi. Partia Komuniste Kineze, shfrytëzon jo vetëm inovacionin, dinamizmin, qëndrueshmërinë dhe efikasitetin e ekonomisë së tregut në vend, por ajo gëzon përfitimet e tyre edhe jashtë vendit.

Dikur thuhej se Vladimir Lenin ishte shprehur:“Kapitalistët do të na shesin edhe litarin me të cilin do t’i varim ata!”. Por ai nuk mund ta kishte parashikuar që gjenerata jonë do të investonte kursimet tona në “fabrikën e litarëve”, dhe do ta ndihmonte komunizmin të dominonte tregjet financiare ndërkombëtare, dhe do ta lejonte të vidhte teknikat tona më të mira, apo të dërgonte studentët e saj më të mirë të studionin në universitetet tona më të mira, dhe të punësonte politikanët tanë në pension si lobistë të saj.

Për pasojë, ndërsa Bashkimi Sovjetik mundi të arrinte vetëm një përparim të dukshëm teknologjik në fushatat ushtarake dhe teknologjinë hapësinore, Kina po përparon në një front shumë të gjerë. Ne nuk mund ta injorojmë ndikimin e saj teknologjik, dhe as nuk mund ta shmangim atë.

Opsionet që kemi në dispozicion po pakësohen. Basti i madh që vumë në vitin 2001 ishte i gabuar. Mirëseardhja e Kinës në sistemin tregtar botëror, solli një progres të pritur ekonomik, por jo të liberalizimit politik të shpresuar.

Politika e vonuar e sanksioneve dhe tarifave të administratës Trump, ka qenë pjesërisht e suksesshme, sidomos në bllokimin e përparimit të depërtimit të kompanisë kineze Huawei në disa vende evropiane dhe aleatëve të tjerë të SHBA-së. Por rezultatet diku tjetër kanë qenë të dobëta.

Përballë një zgjedhje të vështirë midis Kinës dhe Perëndimit, shumë vende tani mund të zgjedhin Pekinin. Për 64 vende, Kina është partnerja më e madhe tregtare, përkundrejt 38 vendeve, për të cilat Shtetet e Bashkuara kanë më shumë rëndësi. Ne kemi shumë terren për të rifituar.

Nëse duam ne mund të rivalizojmë. Por së pari, kemi nevojë për aleanca. Vendet perëndimore të marra së bashku, janë ende më të mëdha dhe më të pasura se Kina. Standardet teknike dhe mjedisi ligjor për temat e gjeneratës së ardhshme (si monedhat dixhitale, identifikimi biometrik dhe statusi i entiteteve të inteligjencës artificiale), do të formojnë ekonominë botërore për dekadat e ardhshme.

Ato po hartohen tani në agjenci ndërkombëtare të mërzitshme, por të rëndësishme, ku qeveritë perëndimore mënjanohen rregullisht. Askush nuk na detyron që të humbasim; jemi ne që zgjedhim ta bëjmë këtë. Ne mund të shpenzojmë më shumë për kërkimet shkencore, dhe t’u ofrojmë shkencëtarëve dhe inxhinierëve tanë më shumë liri dhe më pak burokraci.

Ne mund të forcojmë qëndrueshmërinë e zinxhirëve tanë të furnizimit, duke i kushtuar më shumë rëndësi konsideratave strategjike sesa kostos. Më gjerësisht, ne duhet të tregojmë se qasja jonë ndaj çështjeve dixhitale dhe teknologjike, është e rrënjosur tek vetëbesimi, artikulimi i qartë i kontestueshmërisë, hapjes, transparencës dhe korrigjimit – tipare të shoqërive tona që mungojnë kaq shumë në Kinën kontinentale. Vetëkritika është e shëndetshme; vetëbesimi është gjymtues; urrejtja ndaj vetes është e dëmshme. Si Rusia po ashtu edhe Kina duan që Perëndimi të konsumohet për shkak të të metave të tij të së kaluarës dhe ato aktuale. Mos ua lehtësoni punën atyre. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button