Slider

Rënia e Rankoviqit dhe protestat shqiptare për flamur në Kosovë e Tetovë në vitin 1968

Zyrtari i lartë në Komitetin Krahinor të Kosovës (në kohën e ish Jugosllavisë), Xhavid Nimani, në fejtonin ekskluziv të botuar në gazetën Zëri të Prishtinës nga professor Agim Zogaj, flet për zhvillmet që u paraprinë protestave shqiptare të vitit 1968 në Kosovë dhe në Maqedoni. Ja një fragment i këtij fejtoni, i cili botohet në vazhdime çdo të hënë në www.zëri.info :

Si i vlerësuat demonstratat e vitit 1968?
Ne synonim pavarësimin e plotë nga Serbia…
Nimani: Fillimisht më duhet të them se Plenumi i Katërt i KQ-së i PKJ-së, i mbajtur në verën e vitit 1966, i cili në histori njihet si Plenumi i Brioneve, për ne shqiptarët e Kosovës dhe përgjithësisht për shqiptarët në ish-Jugosllavi ishte me rëndësi historike. Ne atë Plenum u vunë në thumb kritika ndaj Aleksadar Rankoviqit, kuadri i Serbisë, njeriu i dytë në udhëheqje pas Titos, ministër i Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, person i cili kishte udhëhequr, drejtuar, inskenuar shumë procese famëkeqe antishqiptare, sidomos me shërbimin e fshehtë serb-jugosllav. Por le ta qartësoj për historiografinë shqiptare, për brezat e sotëm, se Rankoviqi nuk ra nga pushteti, nuk u shkarkua për shkak të veprimeve të tij dhe të UDB-së kundër ne shqiptarëve, por në radhë të parë se kishte përgatitur planet sekrete edhe për rrëzimin e Titos nga pushteti, madje ishte dokumentuar se e kishte përgjuar Titon dhe kishte pasur lidhje me BRSS-në, Moskën zyrtare…. Pas rënies së Rankoviqit nga pushteti, megjithatë, fillon një periudhë e re më e qetë për popullin shqiptar në ish-Jugosllavi. Në mbarë Jugosllavinë, pra edhe në Kosovë, u formuan komisione, të cilat me kompetencë dhe dokumente shqyrtuan deformimet e UDB-së dhe të Rankoviqit e bashkëpunëtorëve të tij. Në atë periudhë edhe ne në Kosovë, të trimëruar nga rënia e Rankoviqit, filluam ngadalë të lëviznim, duke shprehur aspiratat dhe kërkesat për më shumë autonomi të Kosovës. Në pozita udhëheqëse në Kosovë filluan të vijnë kuadrot shqiptare, pra me standardin e përfaqësimit sipas përbërjes kombëtare. Me gjithë këtë fillim të ri të një etape dhe kapitulli të ri për popullin e Kosovës u nxit një nivel i ri i emancipimit politik dhe kombëtar. Në këtë dritë duhet parë edhe demonstratat me platformë kombëtare të studentëve shqiptarë, të organizuara në Kosovë dhe në Tetovë më 1968-n, pra si tendencë për zhvillimin, prosperitetin më të shpejtë të popullit të Kosovës, afirmimin e popullit me shumicë shqiptare.
Prandaj, demonstratat e vitit 1968, që shprehën aspiratën e popullit të Kosovës në ish-Jugosllavi, kishin reflektimin e fuqishëm pozitiv për afirmimin dhe forcimin e autonomisë së Kosovës, deri në kërkesën për Republikën e Kosovës. Më duhet të them se pikërisht në këtë periudhë, pra pas vitit 1966, kur gjithnjë e më tepër si udhëheqje e popullit të Kosovës synonim të shkëputeshim nga ndikimi i Serbisë, në komunistët shqiptarë madje kemi qenë të vendosur dhe të përcaktuar se në aspektin statusor Lidhja e Komunistëve të Kosovës duhej të fitonte më shumë pavarësi, ndërsa në raport me Lidhjen e Komunistëve të Serbisë të fitonim pavarësi të plotë. Synimi, pra, ishte që edhe si Organizatë e Lidhjes së Komunistëve të Kosovës, sa të ishte e mundur, të forcohej subjektiviteti partiak dhe barazia e Kosovës me republikat e tjera. Që atëherë e kemi ditur se për një pavarësi më të plotë të Kosovës nga Serbia nuk ka qenë e mjaftueshme vetëm Kushtetuta e vitit 1974, por është dashur të siguronim edhe pavarësimin sa ma të plotë nga Serbia të të gjitha segmenteve të jetës shoqërore, politike, në të gjitha rrjedhat shoqërore, ekonomike, akademike, arsimore, shëndetësore, kulturore etj. Edhe sot, nga ajo distancë historike, mendoj se në Kuvendin e Prizrenit (1945) është dashur të kërkonim që Kosova të mbetej e lidhur drejtpërdrejt me Federatën dhe jo t’i bashkohej Serbisë. Nuk mund të them se një objektiv, plan, kërkesë të tillë do të kishim mundur ta realizonim, sepse udhëheqja e Serbisë kishte ndikim të fuqishëm në politikën jugosllave. Prandaj jam i prirë të besoj se në takimin Tito – Enver Hoxha, më 1946-n, në Beograd, ndaj kërkesës së Enverit në lidhje me Kosovën Tito ka dhënë argumentin se për momentin nuk mund të realizohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, për arsye se nacionalizmi serbomadh ende është i fuqishëm dhe aktiv. Kjo çështje është interpretuar edhe nga politikanë të kohës, por edhe nga studiues, historianë të asaj epoke, periudhë ende e pandriçuar shkencërisht dhe me dokumente arkivore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button