BotaLajme

Rusia do kërkimfalje nga BE-ja për dyshimet rreth vaksinën “Sputnik V”

Zhvilluesit e vaksinës ruse “Sputnik V” kundër koronavirusit të martën e vunë në pikëpyetje neutralitetin e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve, pasi një zyrtare e kësaj agjencie u bëri thirrje vendeve të BE-së që të përmbahen nga miratimi i kësaj vaksine tash për tash.

Kryetarja e bordit menaxhues të Agjencisë Evropiane të Ilaçeve, Christa Wirthumer-Hoche, tha për një televizion austriak se do t’i këshillonte shtetet e Bashkimit Evropian kundër autorizimit për përdorim emergjent të vaksinës “Sputnik V”, sepse agjencia ende është duke i vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës.

“Kërkojmë një kërkimfalje publike nga Christa Wirthumer-Hoche e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve për komentet e saj negative, të cilat ngrenë pyetje serioze rreth ndërhyrjes së mundshme politike në vlerësimin që po vazhdon të kryhet nga kjo agjenci”, shkruan në rrjetet sociale zhvilluesit e vaksinës ruse.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se komentet e zyrtares evropiane janë për keqardhje dhe jo të duhura, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Në anën tjetër, zyrtarët e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve nuk kanë qenë të qasshëm për koment. Rregullatori tha se këtë muaj do t’i rishikojë të dhënat për testimet e vaksinës derisa të ketë dëshmi të mjaftueshme për aplikim zyrtar të autorizimit.

Zhvilluesit e vaksinës ruse thanë se “Sputnik V” tashmë është miratuar për përdorim nga 46 shtete. Vaksina është miratuar ose është duke u vlerësuar për miratim edhe në Hungari, Sllovaki dhe Çeki, vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button