Slider

Zyberi: Mund të bëhesha kryeministër, por zgjodha të jem afër qytetarëve (VIDEO)

Naser Zyberi, pritet të ulet së shpejti në kolltukun e Avokatit të Popullit. Një ditë pasi u votua në Kuvend për të marrë këtë detyrë, ai ka premtuar se do të angazhohet maksimalisht për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Në një intervistë për gazetën LAJM, Zyberi ka komentuar edhe për akuzat e opozitës se, nuk mund ta ushtrojë detyrën për shkak të afërsisë me BDI-në dhe pushtetin.

“Së pari dua të them që unë nuk jam anëtar i partisë, nuk kam milituar te partia asnjëherë që nga themelimi i saj. Në të gjithë veprimtarinë time, që nga viti 2002 kur është themeluar ky subjekt (BDI), unë kam mbajt qendrimin timin, mbështetës ose kundërshtues varësisht nga politikat që ka prodhuar ky subjekt. Të njejtin qendrim e kam pas edhe ndaj partive tjera politike, të cilat në momente të caktuara kanë prodhuar politike që kanë qenë në interes ose në dëm të qytetarëve. Edhe sot nuk jam anëtar i BDI-së dhe si kandidat i pavarur kam qenë në zgjedhje parlamentare. Këtë fakt e kemi thënë në mënyrë permanente edhe unë e z.Ahmeti dhe të gjithë pjesmarrësit, se Naser Zyberi është kandidat jopartiakë në zgjedhjet parlamentare. Dhe, kjo nuk më bën mua më pak të dobishëm për qytetarët dhe mbrojtjen e interesave të tyre, përkundërazi, mbrojtja e lirive dhe të drejtave kushtetuese dhe ligjore të qytetarëve do të varet nga angazhimi im, nga kapaciteti im profesional dhe përkushtimi në detyrën në të cilën jam ngarkuar. Unë ju premtoj qytetarëve se do të bëj çmos dhe do të jap maksimumin në kuadër të potencialeve të mia që të jem vertetë mbrojtës i interesave të tyre, në kuadër të dispozitave kushtetuese dhe ligjore.  Nuk dua që para kohe të premtoj dhe të lavdërohem. Do ta lë që koha ta dëshmojë këtë që e flas.

LAJM: z.Zyberi në opinion ka shumë dilema se u shpërblyet me detyrën e re për shkak të fushatës që bëtë për BDI-në  me premtimin për kryeministrin shqiptar. Cila është porosia juaj, a mund të kenë besim të plotë qytetarët nëse kanë ankesa ndaj pushtetit?

Zyberi: Qytetarët mund të kenë besim të plotë nëse kanë ankesa të bazuar në Ligj, nëse në procedurën e paraparë me Ligj konstatohet se ka abuzim me liritë dhe të drejtat, ka shkelje dhe çdo organ i pushtetit qendror, administratës, vetëqeverisjes lokale apo ndërmarrjeve publike, apo ndërmmarjeve tjera që ushtrojnë funksion publik, do të jetë në shtyllën e observivimit dhe ndjekjes nga ana e Avokatit të Popullit, në mënyrë që të eliminohen pasojat eventuale negative nga çdo qytetarë. Këtë nuk e kuptoj si shpërblim sepse pas përfundimit të zgjedhjeve parlamentare, unë isha në situatë të zgjedhi pozicionin më të mirë të mundëshëm në pushtetin ekzekutiv dhe jo vetëm në të. Që nga posti i kryeministrit, zëvendëskryeministrit, ministër e kështu me radhë. Po të ishte çështje e shkëmbimit të shpërblimit dhe kontributit tim për kampanjë, unë do të merrja një post shumë më të rëndësishëm se ai i Avokatit të Popullit. Unë këtë detyrë e kam pranuar si një mundësi që në kuadër të kapaciteteve të mia porfesionale të jem në shërbim të qytetarëve. Mendoj se nga pozicioni i Avokatit të Popullit mund të jem më i dobishëm për qytetarët.

LAJM: Sipas marrëveshjes për qeverisje mes BDI-së dhe LSDM-së, në 100 ditët e fundit të pushtetit posti i kryeministrit do t’I takojë shqiptarëve. A do të kërkoni këtë post ju apo përfundimisht keni hequr dorë?

Zyberi: Unë nuk them që do ta kërkojë apo do të heq dorë. Ajo është çështje që do të diskutohet mes partnerëve të koalicionit, pra mes BDI-së dhe LSDM-së dhe për këtë çështje, sigurisht që BDI-ja do ta vendos kush do të jetë kryeministri i parë shqiptar në 100 ditët e fundit të qeverisë. Unë nuk i shmangem asnjë përgjegjësie nëse më ngarkohet, nëse vlerësoj se mund të jem kontribues në realizimin e interesit publik. Mendoj se nga posti i Avokatit të Popullit qytetarët do të kenë një mbështetje serioze në realizimin e të drejtave të tyre.

LAJM: Dhe për fund, kur do ta merrni zyrtarisht detyrën e re, cfarë do të bëni ndryshe nga Ixhet Mehmeti dhe cilat do të jenë prioritete tuaja si Avokat i Popullit?

Zyberi: Unë kam vizionin tim se si duhet të duket funksionimi i mirë i këtij institucioni. Ky funksionim mbështetet në tre shtylla, që unë mendoj se, do të jetë të domosdoshme për t’u realizuar misioni që e ka sipas Ligjit dhe Kushtetutës Avokati i Popullit. Së pari, transparenca në punën e tij. Avokati i Popullit në ushtrimin e funksionit të tij, aleatin më të madh do ta ketë publikun, mediat, të cilat do të duhet të shërbejnë si presion ndaj institucioneve shtetërore që do të jenë të akuzuara nga Avokati i Popullit si shkelës potencial i lirive dhe të drejtave të njeriut. Shtylla e dytë në të cilën do të bazohet Avokati i Popullit do të jetë vënia në funksion e të gjitha kapaciteteve të institucioneve që supozoj se në segmente të caktuara nuk janë shfrytëzuar sa duhet. Shtylla e tretë, do të jetë, që mendoj se në të kaluarën nuk është shfrytëzuar, ngritja e procedurave ndëshkimore ndaj institucioneve që bëjnë shkeljen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, që bëjnë abuzim me kompetencat e tyrë në dëm të realizimit të të drejtave të qytetarëve.

Të hënën, ish-kandidati i BDI-së për kryeministër Naser Zyberi u zgjodh Avokat i Popullit. Deputetët e mazhorancës votuan me 61 vota për dhe asnjë kundër për zgjedhjen e tij. Në zgjedhjet e fundit parlamentare BDI promovoi Naser Ziberin si kandidat për kryeministrin e parë shqiptar.

blob:https://www.facebook.com/0a5b5b38-5a61-4404-88cf-42c685f6826b

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Back to top button