​Iniesta: S’mund ta imagjinoj kthimin e Neymarit në Barcelonë

Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës, tani në Vissel Kobe, Andres Iniesta, thotë se ai nuk mund ta imagjinojë kthimin e ish-bashkëlojtarit të tij, Neymarit, në Barcelonë, por nuk e përjashton mundësinë që kjo gjë të ndodhë.

Neymari e shkëmbeu Camp Nou me Parc des Princes në gusht të vitit 2017, kur e siguroi një transferim për 222 milionë euro. Ky transferim i kishte shkaktuar shumë probleme Barcelonës, që nuk kishte përgatitur transferimin e një zëvendësuesi për të, transmeton Gazeta Express.

26-vjeçari i kaloi katër sezone të mrekullueshme me Barcelonën, duke e fituar dy herë titullin e Serisë A dhe një herë titullin e Ligës së Kampionëve, por dëshira për të mos mbetur nën hijen e Messit bëri që ai ta kërkonte largimin.

Mirëpo, përkundër që ai kishte vendosur të largohej me dëshirën e tij, gjatë afatit kalimtar të verës ishte spekuluar se ai dëshiron të kthehet të luajë për Barcelonën. Këto spekulime kanë filluar përsëri dhe mediat botërore raportojnë se Barcelona është e gatshme të shpenzojë mjaft shumë para për ta kthyer Neymarin në Camp Nou.

“Personalisht, mendoj se është shumë e vështirë që ai të kthehet, por ën futboll kam parë me qindra herë të ndodhin gjëra të tilla. Nëse ai do të kthehet, unë e kam thënë gjatë gjithë këtyre viteve se ai është një ndër lojtarët më të mirë në botë”, ka thënë Iniesta për RAC 1.

“Cili ekip nuk do të dëshironte ta kishte Neymarin në skuadër? Por, unë nuk mundem ta imagjinoj kthimin e tij në Barcelonë”.

Pasi që spekulimet për këtë transferim janë intensifikuar edhe më shumë gjatë kohës së fundit, edhe trajneri i PSG-së, Thomas Tuchel, u detyrua t’i komentonte ato. Sipas trajnerit Tuchel, Neymari është i lumtur në Francë.

“Mendoj se Neymari është shumë, shumë i lumtur. Ai është një profesionist i vendosur dhe që i mendon gjërat mirë. Mendoj se ai ndihet mirë këtu, si në zhveshtore, ashtu edhe në fushë. Ai është i disiplinuar dhe punon shumë në fushë”, ka thënë Tuchel.

“Jemi të kënaqur me punën e tij. Unë ndiej se ai dëshiron ta dëshmojë cilësinë e tij duke u bërë lider i skuadrës së PSG-së dhe kjo është një gjë e mrekullueshme për ne sepse ai është një ndër lojtarët më të mirë në botë”.

scroll to top