11-vjeçari që vdiq dje në aksident ishte nisur për stërvitje futbolli, flasin familjarët

Xhevat Jusufi, nxënës i klasës së gjashtë, njëherësh i shkëlqyer në mësime, humbi jetën dje në një aksident në fshatin Lushtë të Mitrovicës. Dyshohet se minibusi që e dërgonte një ekip të gjeneratës së Xhevatit për stërvitje të futbollit e goditi për vdekje 11-vjeçarin. Këtë rrëfim e dha sot për Gazetën Express, halla e djalit të mitur.

Xhevati i ri në moshë e mbante emrin e dëshmorit Xhevat Jusufi. Halla e tij tregoi se ai e donte futbollin dhe ishte nxënës i shkëlqyer.

 

Dyshohet se minibusi që e dërgonte për stërvitje futbolli ia mori jetën, pasi fillimisht Xhevati ishte rrëzuar.

 

“Ka pasë treningun e futbollit, ka shku trening, kur ka shku kombi m’i marrë prej treningut po thojnë që është rrëzu djali edhe ai kombi që e ka marrë prej treningut e ka shkelë”, tha mes lotësh halla e Xhevatit, për Gazetën Express.

 

Policia ende nuk e ka definuar saktë se a mund të cilësohet si udhëtar apo këmbësor rasti i Xhevatit, por të njëjtit po merren me rastin për t’i zbardhur të gjitha rrethanat e vdekjes së tij të hershme.

 

“Një fëmijë 11-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e goditjes së minibusit në një rrugë lokale në fshatin Lushtë”, tha Avni Zahiti, zyrtar për informim në Policinë e Mitrovicës.

 

Familjarët kanë lëshuar njoftimin se varrimi i djalit të mitur do të bëhet sot në varrezat e qytetit në Shipol të Mitrovicës. Funerali niset nga banesa e familjes Jusufi që gjendet përballë komunës, në orar të Ikindisë, thuhet në njoftim.

Xhevati ishte vëlla i një motre dhe një vëllai tjetër.

 

APEL: Policia e Kosovës vazhdimisht po bën thirrje për kujdes në komunikacion. Sipas statistikave të tyre për nëntë muajt e parë, janar-shtator 2018 kanë humbur jetën 90 persona në aksidente të ndryshme trafiku.

 

Për 9 muaj 90 të vdekur. Është ky bilanci i jetëve të humbura në aksidente të trafikut në Kosovë nga janari deri në fund të shtatorit. Vlen të ceket se ka pasur rënie të aksidenteve me fatalitet krahasuar me 9-mujorin e njëjtë nga viti i kaluar. Në 2018, u shënuan 6 viktima më pak. /Gazeta Express

scroll to top