A do të ketë punë më 2050?

Aparatet e sofistikuara shpejt do të marrin më shumë punë. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen? Teksa teknologjia po ndryshon mënyrën se si ne punojmë, si do të duket tregu i punës më 2050?

Ekonomistët nga Oksfordi, Carl Frey dhe Michael Osborne, parashikojnë se 40 për qind e vendeve të punës do ta marrin makinat, shkruan The Guardian që ka mbajtur një tryezë të rrumbullakët në bashkëpunim me kompaninë Deloitte, e me praninë e akademikëve, shkrimtarëve dhe profesionistëve nga industria e IT-së.

E ardhmja e punës së shpejti do të jetë “mbijetesë e më të përshtatshmëve”, thotë Paul Mason, drejtor i teknologjive të reja në Innovate UK. Sipas tij, punët që do të mbijetojnë do të jenë shumështresore dhe të ndryshueshme.

Anand Chopra-McGowan, kreu i zhvillimit të tregjeve në General Assembly, mendon se punëtorët e së ardhmes do të duhet të luajnë tri ose më shumë role në të njëjtën kohë. Ndërsa, arsimi i vazhdueshëm do të luajë rol të madh në zhvillimin e aftësive të reja.

Punëtorët duhet vazhdimisht të mbajnë ritmin me zhvillimin e teknologjive të reja. ”Puna për tërë jetën”, do të jetë gjë e së kaluarës, ndaj Chopra-McGowan beson se njerëzit më 2050 duhet që vazhdimisht të përmirësojnë aftësitë për të mbetur relevantë në tregun e punës.

Mark Spelman, anëtar i Bordit Ekzekutiv të Forumit Ekonomik Botëror, beson se në këtë botë të re ka fitues dhe humbës.

“Ideja e të mësuarit të vazhdueshëm është optimiste. Është e mundur që kjo të bëhet me seminare njëditore dhe që njerëzit që i mësojnë ato aftësi të punojnë një muaj, aq sa janë të nevojshme ato”, thotë ai.

Julia Lindsay, drejtoreshë ekzekutive në institutin iOpener, beson se fuqia punëtore do të shkojë drejt punës me honorarë. Sipas saj, punëdhënësit nuk do të marrin punëtorë, por specialistë. Për kompanitë kjo do të thotë investim për të mbetur në hap me të arriturat e fundit teknologjike.

“Si do t’i përdorim teknologjitë për të informuar të rinjtë në lidhje me vendet e punës? Si mundemi që fëmijëve në shkolla, teknologjinë t’ua bëjmë më tërheqëse, për t’i mbështetur më shumë në fillim të karrierës?”, pyet Mervin Chew, menaxher në Deloitte.

Debutuesit thonë se problemi me rolet shumë të specializuara është se do të izolojë pjesët e shoqërisë që nuk mund të përshtaten me situatën. Ndaj, Dan Collier, CEO tek Elevate, beson se do të ketë një ndarje në mes të disa punëve që kërkojnë njeriun dhe atyre që mund të jenë të automatizuara.

Dave Choplin, nga Microsoft UK, pajtohet se po shkojmë te shoqëria me dy shtresa. I gjithë paneli është dakord me këtë, duke cekur hendekun e mundshëm ndërmjet detyrave të nivelit të lartë dhe detyrave që mund të automatizohen.

“Do të anulohet kontrata shoqërore e punës: njerëzve nuk do t’ju mbetet gjë, derisa korporatat do të vlerësojnë vetëm produktivitetin”, thotë autori Richard Newton, teksa shton se kjo ndarje do të jetë ose shumë mirë (shoqëri e kohës së lirë) ose shumë e keqe (shoqëri e papunësisë masive).

Spelman thotë se teknologjia mund të përdoret për të ulur aksidentet, për prodhimin e ushqimit për njerëz dhe për të kursyer kohë. Ndaj, në të ardhmen do të jemi të detyruar të bashkojmë vlerat shoqërore me vlerën e aksionarëve.

“Në shoqëri ka punë që nuk i jepet vlera e merituar, të tilla si kujdesi për fëmijët, për të moshuarit apo vullnetarizmi”, shpreh optimizmin për të ardhmen, Magdalena Bak-Maier, themeluese dhe CEO tek Make Time Count.

Por, Choplin thotë se nëse automatizojmë shërbimet e nevojshme, do të kemi probleme të mëdha sociale.

“Si do të ushqejmë të gjithë?”, pyet ai, teksa shton se ka ide se puna duhet do të përqendrohet në kërkimin e hapit tjetër të evolucionit të njeriut. “Së pari duhet zgjidhur ushqimin, shëndetin dhe transportin, pastaj zhvillimin e qëndrueshëm, dhe në fund ne mendojmë për të shkuar në planetët tjerë”!

Mund të duket se këto janë bisedime të parakohshme, se për një inteligjencë të vërtetë artificiale kemi nevojë për një tjetër dekadë. Ndaj, Sabine Hauert, ligjëruese e Robotikës në Universitetin e Bristolit, thotë se robotët e programuar do të bëjnë detyra të caktuara po jo të gjitha punët.

Por, Mark Eltringham, konsulent për Insight Publishing, beson se duhet të jemi të kujdesshëm kur krijojmë gjërat që janë më superiore, transmeton Telegrafi.

“Rënia e njeriut ndaj makinës është diçka për të cilën duhet të kemi frikë: ato kanë potenciale të jenë të dëmshme në mënyrat të cilat neve as që do të na bien në mend”, thotë ai.

Në të kaluarën e kemi përdorur teknologjinë për të lehtësuar dhe liruar punën, por së shpejti do të hyjmë në valën e tretë të llogaritjes, në të cilën makina mund të mësojë dhe të përshtatet. Choplin beson se kjo do të ketë një ndikim të madh në biznes.

”A do të automatizojnë gjithçka e të marrim paratë? Ose të investojmë tepricën e parave për krijimin e vendeve të reja të punës?”, pyet ai.

Newton shton se beson se aftësitë krijuese do të jenë të sigurta, porse se si teknologjia po zhvillohet, nuk është aq i sigurt. Ka të dhëna se kompjuterët me kohën do të jenë në gjendje të kopjojnë detyrat kreative dhe madje të mësojnë të përshtaten, të pikturojnë dhe të shkruajnë romane. Por, Newton është ende optimist dhe beson se nuk do të zvogëlohen arritjen njerëzore.

“Mendoj se gjithnjë e më shumë do të vlerësojmë udhëtimin e njeriut, luftën personale për të arritur diçka të madhe, edhe nëse roboti mund ta bëjë këtë më mirë. Për shembull, te muzikantët do të vlerësojmë mundin e kohën e investuar për të mësuar për të krijuar muzikën e mrekullueshme”, shton ai.

Edhe pse ardhmja e punës është e paqartë, paneli ra dakord në një gjë: ”Natyra e punës do të ndryshojë – puna e së nesërmes nuk do të jetë e njëjtë si vendet e sotme të punës”.

 

 

 

 

scroll to top