A ka Maqedonia kapacitet për zgjedhje fer dhe demokratike?

Njohësit e çështjeve politike e vënë në pikëpytje procesin për zgjedhje fer dhe demokratike në vend, duke e pasur parasysh vijimin e zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinos.

Thyerja e afateve të parapara në marrëveshje janë shqetësim dhe tregues se partitë politike nënshkruese të Marrëveshjes papërgjegjshëm janë sjellur deri më tani.

Sipas profesorit universitar Denko Maleski është diçka tjetër se cka duam të bëhet dhe çka do të bëhet në realitet.

“Që gjithçka të shkojë në rregull Prokuroria Speciale duhet të merret me mashtrimet zgjedhore. Nga ana tjetër, të dy anët në marrëveshje, pozita dhe opozita, kanë qëndrime diametralisht të kundërta. Opozita, njëjtë si faktori ndërkombëtarë kërkon që të pastrohen dilemat deri në zgjedhje, ndërkaq pozita taktizon që të mund edhe njëherë t’i fitojë zgjedhjet, me obstruksione të ndryshme”, theksoi Maleski.

Politologu Bashkim Bakiu thotë se është fakt se po shkelet çdo afat i marrëveshjes, edhe përkundër asaj se data e zgjedhjes po ngel fiks.

“Shkelja e afateve nënkupton se vonohen ndryshimet, përmirësimet, madje edhe për ato çështje të cilat në formë direkte ndikojnë në procesin zgjedhor. Mendoj se është e pamundur për t’u realizuar zgjedhjet, gjasat janë të mëdha për t’u prolonguar. Mos harrojmë se këtu edhe vet partitë politike kontribuojnë, janë çështje taktikash që përdoren me qellim që mos të arrihet situatë normale për zgjedhje fer dhe demokratike, prandaj jam i mendimit se me qëllim nuk miren vesh, që intervenimi për ndryshime të jetë me i shkurtë ose më pak afat për intervenim për të krijuar kushte më të mira për zgjedhje”.

Sipas tij, përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtarë kanë qenë direkt me kritika ndaj atyre që ngadalësojnë procesin, apo përfundimin e marrëveshjes.

Se ka edhe shumë punë deri të zgjedhjet e prillit ka vërtetuar edhe lehtësuesi Piter Van Hautte.

“Ngelin shumë çështje që duhet zgjidhur deri në zgjedhje, siç është Ligji për mediumet, Agjencia për shërbime audio dhe audio vizuale, avokati i popullit, Komisionit kundër korrupsionit. E gjithë kjo duhet të zgjidhet deri në zgjedhjet e prillit”, tha ai.

scroll to top