A ka përçarje mes PAN-it? Ja çka thotë Veseli

Kadri-Veseli.jpg

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, duke folur për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 qershorit, ka thënë se PDK është votuar masovikisht.

“Elektorati ynë është shumë stabil”, tha Veseli, në një intervistë për RTV Dukagjini, duke mohuar se partia e tij ka humbur votues në zgjedhjet e fundit.

Veseli mohon se elektorati e ka penalizuar pas heqjes dorë të tij nga kandidatura për postin e kryeministrit, transmeton Telegrafi.

Veseli gjithashtu ka mohuar se ka përçarje në koalicionin PAN.

“Kemi një partneritet të shkëlqyeshëm me partnerët e koalicionit, me kryeministrin Haradinaj dhe me Fatmir Limajn”, tha Veseli.

Ai ka thënë se vendi ynë ka nevojë që të ketë vendimmarrje për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë.

“Nuk na duhet një politike e thatë, me hatërmbetje e fyerje, që çon në bllokada, por një politikë që përmirëson jetën e qytetarëve. Fatmirësisht, në këtë radhë, agjenda ekonomike ka qenë prioritare për të gjitha partitë politike dhe në këtë anë duhet të orientohemi të gjithë. As nuk e mendoj që do zhytemi në ngërç politik dhe as që duhet të mendojmë. Gjykata Kushtetuese ka përshkruar shumë qartë rregullat e lojës politike”, ka thënë Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se duke paramenduar që mund të kemi bllokadë, PDK-ja ka dhënë shembullin më të mirë sesi nuk duhet marrë me ego personale, por të gjithë duhet të merremi me përmirësimin e jetës së qytetarëve. Veseli ka thënë se koalicioni i PDK-së do të formojë qeverinë menjëherë pas certifikimit të rezultateve.

“Ngërç nuk do të ketë, sepse nuk duhet lejojmë që vendi të futet në asnjë krizë pasi duhet të formojmë qeverinë dhe të punojmë për të ndihmuar ndërmarrësit, fermerët, në mënyrë që vendi të ketë progres më të shpejt”, ka thënë Veseli.

Duke folur për Vetëvendosjen tha se ky subjekt politik e ka instaluar metodën e shantazhit.

Veseli tha se Koalicioni PAN nuk ka vija të kuqe për askënd. /Telegrafi/

scroll to top