Abrashi: VV shfrytëzoi fëmijët e mitur për të më sulmuar

Ministri i Mirëqenies Sociale dhe zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Arban Abrashi, ka reaguar ndaj sulmit që i bën aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosjes.

“Pa dashur me i dhënë shumë vëmendje sulmeve të tilla, kjo është mënyrë e politikëbërjes së tyre, e politikbërjes së shprehur përmes dhunës. Ky është realizimi i kërkesave përmes dhunës, përmes linçimit publik, përmes keqpërdorimit të të miturve. Unë i kam parë ata të cilët kanë hedhur ngjyrë; kanë qenë shumë të rinj, ndoshta të mitur. Kjo është e papranueshme për një vend evropian. Shpresoj që votuesit do t’ua tregojë vendin”, ka thënë Abrashi për KosovaPress.

Ai ka treguar se rastin se do ta lë në duart e gjyqësorit dhe Policisë së Kosovës.

“Unë e kam dhënë raportin tim në Polici”, tha Abrashi.

Policia e Kosovës në raportin e 24 orëve tregon për dy të arrestuar lidhur me këtë rast.

Mirëpo, nga Vetëvendosje e kanë justifikuar sulmin duke thënë se “ky ministër para disa ditësh e ka krahasuar forcën më të madhe opozitare në Kuvendin e Kosovës me terroristët e ISIS-it”. Përveç kësaj, më tej thuhet se Abrashi është një prej mbrojtësve më të zellshëm të “Zajednicës” dhe të marrëveshjeve qeveritare me Beogradin, të cilat po ndajnë e po dëmtojnë rënd ë Kosovën.

scroll to top