Ahmeti takon Ambasadorin Amerikan Bejli, diskutojnë situatën aktuale

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Ali Ahmeti, ka qëndruar sot në rezidencën amerikane në Shkup ku është takuar me Ambasadorin e SHBA në Maqedoni, z. Xhes Bejli.

Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Bejli shkëmbyen mendime rreth zhvillimeve të fundit në drejtim të zbatimit të marrëveshjes së Shkupit për përfundim të krizës, por edhe për integrimin EuroAtlantik dhe sfidat me ekstremizmin fetar dhe pjesëmarrjen në konflikte të huaja dhe investimet amerikane në Maqedoni.

Pjesët kryesore dhe më të ndjeshme të marrëveshjes tashmë janë zbatuar dhe palët nuk duhet të bëjnë pengesa dhe të kërkojnë arsyetime nga më të ndryshmet për të penguar zbatimin e plotë të obligimeve, por të japin kontribut për ti tejkaluar pengesat menjëherë.

Kryetari Ahmeti ritheksoi urgjencën e rikthimit në agjendën tonë të përbashkët politike dhe shoqërore të zgjidhjes së çështjes së emrit si pengesë e vetme për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Procesi EuroAtlantik është prioritet absolut gjeostrategjik dhe pa asnjë alternativë tjetër për Maqedoninë.

Z. Ahmeti gjithashtu shprehu shqetësim për shpërndarjen e ideologjive të huaja në vend dhe rajon dhe u shpreh i bindur që qytetarët i refuzojnë këto përpjekje për të instaluar bindje të huaja për kulturën dhe traditën tonë.

Kryetari Ahmeti nënvizoi mirënjohjen e thellë ndaj kompanive amerikane që kanë vendosur të investojnë në zonat në Tetovë, Strugë, Kërçovë dhe shprehu gatishmërinë për ti ndihmuar ato dhe investitorët tjerë potencial amerikan në këto zona.

scroll to top