Ambasadori amerikan, Delawie: Opozita nuk kuptoi thirrjet e Kerryt

Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, ka folur para gazetarëve në mjediset e Kuvendit të Kosovës. Duke rikujtuar vizitën e sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, në Kosovë dhe thirrjet e tij për të shmangur aktet e dhunës nga Kuvendi, Delawie tha se është zhgënjyes fakti që njerëzit nuk i kanë dëgjuar thirrjet e tij.
“Jam këtu për të mbështetur funksionimin normal të Kuvendit, dhe u zhgënjeva kur disa deputetë të Kuvendit hodhën gaz lotsjellës në Kuvend, sërish. Është zhgënjyese. Siç e dini, Kuvendi është dashur që ta miratojë sot buxhetin për vitin e ardhshëm dhe ka një listë të gjatë ligjesh të rëndësishme për shqyrtim, të domosdoshme për Kosovën”.
Ambasadori amerikan ka shprehur shqetësimin e tij edhe me faktin se dy ligjvënës nga opozita, ndaj të cilëve është në fuqi masa e arrestit shtëpiak, ndjejnë se nuk e kanë për detyrim të ndjekin të njejtat rregulla dhe ligje që vlejnë për cilindo qytetar tjetër të Kosovës.
“Për fund do të doja të thosha diçka për rritjen e retorikës nacionaliste dhe ksenofobike ditët e fundit. Mendoj se Ballkani ka parë mjaft retorikë të tillë, dhe shpresoj të marrë fund përfundimisht”.

scroll to top