AMBIENTALISTËT ALARMOJNË, MAQEDONIA ME QYTETE MË TË NDOTURA NË EVROPË

Afrim Osmani, PhD (ambientalist)

Mbrojtja e mjedisit përben një kusht themelor për sigurimin e zhvillimit të shoqërisë dhe është një prioritet kombëtar, elementet kryesore të të cilit janë: parandalimi dhe ulja e ndotjes se ujit, ajrit, tokës dhe ndotjeve të tjera të çfarëdolloj.

Dihet mirëfilli se asnjë shtet nuk është imun ndaj ndotjes së mjedisit. Por ajo që bën të dallohet një shtet nga shteti tjetër ka të bëj me shkallën dhe nivelin i ndotjes si dhe me mënyrën se si një shtet e lufton ndotjen.

Një nga shtetet më të ndotura në Ballkan është Republika e Maqedonisë, kurse në të gjenden edhe dy qytetet më të ndotura në Evropë, ato janë Tetova dhe Shkupi.

Edhe përskaj apeleve të institucioneve të ndryshme nga vendi apo nga jashtë, qofshin ato qeveritare apo joqeveritare, niveli i ndotjes së mjedisit jetësor, me theks të veçantë të ajrit, nuk bie, por dita ditës rritet. Kush janë faktorët e kësaj dukurie dhe çka duhet ndërmarr?

Faktorët janë të shumta që ndikojnë drejtpërdrejtë apo indirekt në ndotjen e mjedisit jetësor. Por serish gishti drejtohet vetëm në një faktor kyç, e ai është vet njeriu, pra faktori njeri. Njeriu është ai i cili në interes të vet, për interesat e veta është në gjendje që të viktimizon veten, ta viktimizon ambientin në të cilin jeton. Tre faktorët kyç që në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në ndotjen e mjedisit jetësor, e që drejtpërdrejtë drejtohen nga dora e njeriut janë: energjetika, industria dhe komunikacioni.

Në Maqedoni më së shumti vijnë në shprehje industria dhe komunikacioni. Në qendër të qyteteve apo në periferi të tyre janë ngritur fabrika të shumta, të cilat ndotin ajrin, kurse kjo ndotje ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e njeriut, me theks të veçantë ndaj atyre që vuajnë nga sëmundjet kronike: sëmundjet e diabetis-sheqerit, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet respirative, pra probleme me organet e frymëmarrjes, etj. Sipas disa të dhënave në qytetin e Tetovës ndotja e madhe e ajrit ndikon bile edhe në dështimin e shtatzënisë së grave shtatzëne, përveç kësaj shumë të ri e të reja vdesin nga kanceri dhe nga sulmet në zemër dhe në tru. Sipas të dhënave të fundit, prezenca e grimcave të dëmshme toksike PM10 në ajër shkon deri në 18 herë mbi masën e lejuar. Ndotësi më i madh llogaritet të jetë kombinati metalurgjik “Jugohrom” që ndodhet në hyrje të Tetovës.

Rritja e numrit të pjesëmarrësve në komunikacion po ashtu ndikon në ndotjen e ajrit.

Industria dhe komunikacioni bëhen më problematik gjatë kësaj sezone, me theks të veçantë në situatat e mbulimit të qyteteve me mjegull, gjë e cila nuk i lëshon gazrat të largohen por i mban në ambientet e banuara. Në komunat e Shkupit, në Manastir, Tetovë dhe Koçan gati në çdo mëngjes ajri është i ndotur. Stacionet e matjes tregojnë koncetrime të grimcave PM10 prej 120 deri 230 mikrogramë në metër katror.

Çka duhet ndërmarr? Ajo se çka duhet ndërmarr u referohet të gjithëve, dhe këtu vjen n shprehje thënia e mirënjohur e Tomas Hobs “Bellum omnium contra omnes”, d.m.th lufta e të gjithëve kundër të gjithëve. Çdokush prej neve paraqitet si ndotës potencial, askush nuk mund të amnistohet se nuk ka ndotur mjedisin jetësor. Po ashtu çdokush prej neve paraqitet edhe si viktimë potenciale, ngase veprimet e ndotjes serish na drejtohen neve, pra me vet aktet tona të ndotjes ndotim mjedisin tonë ku jetojmë.

Andaj, luftimi i ndotjes nuk duhet lënë vetëm shtetit por edhe çdokujt që mund të kontribuon në këtë drejtim. Në këtë rast vjen në shprehje ngritja e lartë e vetëdijes tek secili individ se vetëm me mjedis të pastër jetësor mund të vjen në shprehje një jetë të shëndoshë dhe normale.

Padyshim se shteti në këtë drejtim nuk mund ti largohet obligimit që qytetarëve tu garanton mjedis të pastër e të shëndoshë jetësor. Në rastin e Tetovës dhe Shkupit, edhe pse shteti bëri disa tentime për zvogëlimin e ndotjes së mjedisit jetësor, por nuk ishin të mjaftueshme, nuk dhënë efektet e duhura. Andaj apelojmë që institucionet shtetërore ti ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për një mjedis të pastër e të shëndoshë, edhe atë: të shihet mundësia që fabrikat e ngritura në qendrat apo periferitë e qyteteve të zhvendosen sa më larg vendbanimeve; të obligohen fabrikat që paraqiten si ndotës kryesor të instalojnë filtrat e nevojshme me çka dot zvogëlohet dukshëm ndotja e ajrit; shteti sa më tepër të krijoj mundësinë e përdorimit të transportit publik me qëllim që qytetarët mos të përdorin transportin personal-automjetet; të ndalohet përdorimi i qymyrit si material djegës që përdoret nëpër industri dhe amvisëri; shteti t ndryshon politikën penale sa i përket ndezjes dhe hedhjes së mbeturinave në vendet publike dhe në vendet ku në fakt nuk e kanë vendin, etj.

Andaj, u bëjmë apel institucioneve shtetërore dhe komunave të Republikës së Maqedonisë që të respektojnë dhe implementojnë standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e mjedisit jetësor, e cila është edhe mënyra e vetme që Maqedonia të del nga kjo krizë ekologjike, nga kriza e ndotjes së mjedisit jetësor. Apeli u drejtohet edhe sektorit joqeveritar, medieve dhe çdo individi që mund të japin kontributin e vet në uljen e ndotjes së mjedisit jetësor.

scroll to top