BotaLajme

Amerika duhet të pranojë kufizimet e fuqisë së saj ushtarake

Nga Scottt Barker, The Hill

Në pranverën e vitit 1975, unë isha kapiten i Forcave Ajrore, dhe shërbeja si një analist i shërbimeve sekrete në një bazë në Tajlandë, e cila ishte e ngarkuar me drejtimin e operacioneve ushtarake që mund të ndërmerreshin nga forcat amerikane, në rast se vietnamezo-veriorët do të shkelnin marrëveshjet e paqes të vitit 1973.

Në atë rol, unë u përfshiva në mbështetjen e evakuimeve të amerikanëve dhe të tjerëve nga Phom Peni dhe Saigoni pranverën e atij viti. Duke bërë punën time, u bëra dëshmitar okular i ditëve të fundit kaotike të pjesëmarrjes së Amerikës, në atë që ne e quajtëm Lufta e Vietnamit, por që vietnamezo-veriorë që e fituan luftën, e quajtën “Lufta Amerikane”.

Dëbimi nga Saigoni ishte poshtërues për amerikanët, dhe katastrofik për banorët e Vietnamit të Jugut. Më shumë se 45 vjet më vonë, si një qytetar amerikan që i vëzhgoja ngjarjet nga larg, pashë një kaos, poshtërim dhe katastrofë të ngjashme amerikane me afganët që janë kundërshtarë të talebanëve.

Synimi im nuk është t’i shtohem korit të kritikave ndaj komandantit tonë të përgjithshëm, apo të bëhem lojtari i radhës në “lojën e hedhjes së fajit”, që ka filluar të luhen në të dyja kampet e spektrit politik në SHBA, mbi fajtorin kryesor që e “humbi” Afganistanin.

Ndërkohë nuk kam ndërmend as të argumentoj se ndonjë strategji tjetër ushtarake, do të kishte pasur sukses në Afganistan, duke shmangur atë që ndodhi në aeroportin e Kabulit. Përkundrazi, lutja ime është që ne amerikanët të pranojmë më në fund limitet e fuqisë sonë ushtarake, dhe t’i përshtatim qëndrimet dhe institucionet tona me realitetin e atyre kufizimeve.

Disfata e Vietnamit dërgoi një mesazh të qartë:fuqia ushtarake amerikane nuk mund të përdoret me sukses për të krijuar qeveri ose kultura sipas vizionit tonë. E megjithatë, në Afganistan ajo që nisi si një fushatë e suksesshme ushtarake kundër talebanëve dhe bashkatdhetarëve të tyre terroristë, u shndërrua në një përpjekje tjetër të dështuar për të kthyer një vend të huaj, në një “demokraci” sipas modelit amerikan.

Ne duhet të bëjmë gjithçka që kemi në dorë për të zvogëluar shanset që të përsëriten marrëzi të tilla. Së pari, ne duhet të çlirohemi nga lidhja jonë e fortë si komb me fuqinë tonë ushtarake. S’ka asnjë dyshim se ne mund t’i japim goditjet më të fuqishme ushtarake gati çdo vendi të botës.

Por ndërkohë, ne duhet të ballafaqohemi me realitetin. Që nga fitorja jonë e arritur me shumë vështirësi në Luftën e Dytë Botërore, ne kemi humbur më shumë luftëra sesa kemi fituar. Ne luftuam në Kore për të shkuar drejt një ngërçi, pastaj humbëm në Vietnam, Irak (herën e dytë) dhe në Afganistan.

Suksesi ynë i madh ushtarak, ishte humbja që i shkaktoi presidenti George H.W.Bush udhëheqësit irakian Saddam Hussein, pasi ky i fundit pushtoi Kuvajtin në verën e vitit 1990. Presidenti Bush krijoi një koalicion ndërkombëtar, të udhëhequr nga ushtarët amerikanë, që i shkaktoi një ”nokaut” që në raundin e parë forcave të Saddamit.

Edhe pse Bagdadi mund të pushtohej me lehtësi nga trupat amerikane, Bush refuzoi që ta bënte këtë dhe i tërhoqi trupat nga Iraku, duke shmangur kështu rrugën e gabuar që do të ndërmerrte më vonë djali i tij.

Së dyti, Kongresi Amerikan duhet të rimarrë rolin e tij qendror në vendimet mbi shpalljen  e luftën, që ia njeh Kushtetuta e vendit. Sipas Kushtetutës, vetëm Kongresi mund të shpallë luftën ndaj një shteti tjetër. Gjithsesi, meqë presidenti Harry Truman angazhoi dhjetëra mijëra trupa amerikane në luftë në Gadishullin Korean në vitin 1950, pa një shpallje zyrtare të luftës nga Kongresi, Kongresi u pajtua me atë vendosje para faktit të kryer.

Në vitin 2003, kur presidenti George W.Bush vendosi të pushtonte Irakun, ai pretendoi se komandanti i përgjithshëm kishte “autoritetin kushtetues për të përdorur forcën, me synim parandalimin apo reagimin ndaj agresionit apo ndaj kërcënimeve të tjera për interesat e SHBA-së”.

Edhe pse ai nuk mendoi se kishte nevojë për mbështetjen e Kongresit për të nisur pushtimin, kërkimi i saj ishte një lëvizje e mençur. Prandaj, Bush kërkoi dhe mori nga Kongresi një “autorizim për përdorimin e forcës ushtarake”, që e mbështeste pushtimin.

Ai autorizimi i dha kompetenca të gjera presidentit në identifikimin e armiqve dhe zhvillimin e luftës kundër tyre. Autorizimi nuk kishte asnjë kufizim kohor, duke lejuar atë që u njoh më vonë si “lufta e pafundme” në Afganistan. Tashmë Kongresi duhet të rikonfirmojë fuqitë e tij luftarake.

Së pari, ai duhet të eleminojë vakuumin që ekziston në Rezolutën e Fuqisë për të Shpallur Luftën të vitit 1973, e cila i jep lejon presidentit një hapësirë kohore 60-90 ditore për t’u angazhuar në luftime, pa miratimin paraprak të Kongresit.

Së dyti duhet të shfuqizojë autorizimet e famshme (dhe tanimë të diskutueshme) për përdorimin e forcës ushtarake për Afganistanin (në vitin 2001) dhe Irakun (në vitin 2002), dhe të mos miratohet në asnjë rast një autorizim jo specifik, që presidenti i SHBA-së të kryejë operacione ushtarake në një vend tjetër.

Së treti, në të gjitha rastet që përfshijnë veprime të qëndrueshme ushtarake, ne duhet të sigurohemi që kostoja për ta bërë këtë, të ndahet gjerësisht midis të gjithë amerikanëve që janë aktualisht gjallë. Ne nuk duhet që t’i financojmë luftërat e huaja me triliona dollarë, që  janë marrë sot borxhe, që bëhen pjesë e borxhit kombëtar, dhe që do të paguhen nga brezat e ardhshëm.

Nëse veprimet ushtarake të propozuara nga udhëheqësit tanë, e forcojnë vërtetë sigurinë e amerikanëve sot, këta amerikanë duhet të tatohen që të paguajnë për të po sot. Nuk duhet të lejohet më në të ardhmen fshehja e kostove të mëdha luftarake në buxhetin vjetor të mbrojtjes.

Një çështje më e ndërlikuar është kush duhet të luftojë në luftërat tona? Që pas Luftës së Vietnamit, Amerika e ka transferuar zhvillimin e luftërave tona tek luftëtarët profesionistë, të cilët po izolohen gjithnjë e më shumë nga rryma kryesore e shoqërisë amerikane.

Sakrifica e tyre është e madhe:disa vdesin; shumë të tjerë kanë mbetur të gjymtuar, dhe shumë të tjerë akoma vuajnë nga shqetësimet e ndryshme mendore për shkak të viteve të gjata larg familjeve të tyre. Kjo thjesht nuk është e drejtë, dhe ua bën shumë më të lehtë udhëheqësve tanë që të dërgojnë trupa kudo ku ata mendojnë.

Do jetë mirë të mos harrojmë, se ajo që e ndaloi përfundimisht mbështetjen për Luftën e Vietnamit ishte dhënia fund e ligjit për rekrutimin e detyrueshëm në ushtri. Kur të mendohet mbi për angazhime të mëdha ushtarake, Kongresi duhet të shohë përtej forcës vullnetare.

Së fundi, ne duhet të mos harrojmë gjithashtu se fuqia amerikane bazohet përfundimisht në suksesin e formës sonë republikane të qeverisjes, tek forca e njerëzve tanë, gjallëria e shoqërisë sonë, dhe tek suksesi i modelit tonë ekonomik. Çdo dollar që shpenzojmë për luftërat e huaja, është një dollar i marrë nga përpjekjet tona vendimtare për të ndërtuar një Amerikë më të mirë në vendin tonë.     /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Scott Barker, një veteran i shërbimit sekret të ushtrisë amerikane, është sot këshilltar në “Wheeler Trigg O’Donnell LLP” në Denver të Kolorados. Libri i tij më i fundit titullohet “Mbretërit e Luftës:Si presidentët tanë, rrëmbyen kompetencat e Kongresit mbi luftën, dhe çfarë duhet bërë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button