Arrestohen 7 zyrtarë të Doganës, lejuan shitjen e 4.4 mln litra naftë bruto

Zhdukën 4,4 milonë litra naftë bruto nga depozitat e kompanisë “Tea Construction & Petrol”, ndaj prokuroria urdhëroi këtë të shtunë arrestimin e Lula Njebza, ish – Zv/Drejtoreshë e Përgjithshme e Doganave dhe Mirarbër Teneqexhiu, ish – Kryetar i Doganës së Tiranës, si dhe 5 zyrtarë aktualë të kësaj Dogane.

Një urdhër arresti është lëshuar edhe për administratorin e kompanisë, Adrian Xhillari. Sipas prokuroisë zyrtarët kanë shpërdoruar detyrën, pasi me verpimet e tyre kanë lejuar zhdukjen e naftës bruto, duke i shkaktuar shtetit një dëm 2 milionë euro.

Vendimi i gjykatës për punonjësit e Doganës është ekzekutuar menjëherë nga policia, ndërsa administratori Xhillari është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi pak muaj më parë, rezulton se ka dalë jashtë Shqipërisë.

Kjo sasi nafte nuk lejohej të dilte në treg pasi është e cilësisë bruto. Ajo nuk ka mbërritur në depozitat në Ballsh, por është shpërndarë nëpër pika karburanti në qytete të ndryshme të vendit, duke u shitur në treg të lirë.

Sipas prokurorisë, zyrtarët e doganave nuk kanë kryer detyrën për të regjistruar lëvizjen e sasisë së karburantit nga Mëzezi në Ballsh dhe të monitoronin depozitimin e saj në depot përkatëse.

Gjykata e Fierit, pas kërkesës së prokurorisë së këtij qytetit, ka caktuar masat e sigurisë “arrest në burg” për 5 zyrtarë, ndërsa ka lënë në “arrest shtëpie” 2 të tjerë.

scroll to top