Arrihet marrëveshje për KSHZ-në

Liderët e katër partive politike pas tre orëve bisedime kanë arritur marrëveshje për tre ekspertët që do të jenë pjesë e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

Liderët e VMRO-DPMNE, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së në një deklaratë të përbashkët pas takimit, kanë përshëndetur marrëveshjen e arritur për zgjedhjen e tre anëtarëve nga radhët e ekspertëve në kuadër të KSHZ-së, të cilët janë: Aleksandar Çiçakovski, Rexhep Prekopuca dhe Atanas Umurov.

Liderët e katër partive i kanë bërë thirrje Kuvendit që të miratojë sa më shpejt përbërjen e re të KSHZ-së, që të fillojë punën për zgjedhjet e ardhshme. Po ashtu u bëhet thirrje të gjitha institucioneve që këtij komisioni t’i japin mbështetje të plotë. Në kuadër të funksionimit të KSHZ-së, kërkohet realizim i metodologjisë për kontrollimin e listës së zgjedhësve dhe detyrimet e tjera të parapara me ligj, njofton tv21.

Ndërkohë, siç bëhet e ditur, liderët e katër partive nuk kanë biseduar për çështjen e mediave. Ndërmjetësi evropian, Piter Van Hautte theksoi pas takimit se është i kënaqur nga arritja e marrëveshjes, duke u bërë thirrje partive dhe institucioneve që sa më shpejt t’i realizojnë parapërgatitjet për zgjedhjet dhe të kompletohet përbërja e re e Komisionit Shtetëror Zgjedhor.

“Shpresoj se kjo është një fillim i mbarë sepse ka shumë punë për tu bërë , sinqerisht shpresoj që komisioni sa më shpejt të zgjedhë sekretarin e përgjithshëm si dhe organet tjera, sepse është me urgjencë që sa më shpejtë të kemi komisionin zgjedhor funksional.
Në ditët në vazhdim do të bisedohet për ligjin për media, për agjencinë e mediave, servisin publik , dënimet e mediave, dhe shpresojmë që në fund të bisedohet edhe për zyrën e Avokatit të popullit dhe për Komisionin e anti-korrupsionit”, tha Piter Van Hautte.

Anëtarë të KSHZ, të propozuar nga partitë politike janë: Silvana Boneva dhe Sasho Srcev nga VMRO DPMNE, Violeta duma dhe Igor Milev nga LSDM, Subhi Jakupi mbetet edhe më tutje pjesë e KSHZ-së si anëtarë i propozuar nga BDI, njësoj si Bedredin Ibraimi nga PDSH.

scroll to top