Avokatët e “Kumanovës”: Ka dëshmi se nuk kemi të bëjmë me “terrorizëm”

“Këshilli nuk jep ndonjë arsyetim, tregon vetëm se cili avokat çfarë ka kërkuar e çfarë ka kundërshtuar. Kjo është njëfarë inercioni, sepse edhe Këshilli punon si i ka thënë Prokuroria publike. Këta kanë shkuar sipas aktakuzës, arsyetimin e kanë shumë shkurt, gjysmë faqe. Mendoj se Këshilli nuk i ka parë provat, por pa i parë provat mendon që ka ndonjë dyshim të bazuar, njëfarë inercioni praktikisht”.

Kështu është shprehur për Portalb avokati Naser Raufi pas daljes së kumtesës për qëndrimin e Këshillit për vlerësimin e aktakuzës për rastin “Lagjja e Trimave”.

Në njoftimin e Gjykatës themelore të Shkupit thuhet se: “Këshilli për vlerësimin e aktakuzës pas një analize të detajuar të materialeve të paraqitura në formë të shkruar në aktakuzë, të paraqitura në gjykatë, si dhe të materialeve të të akuzuarve dhe të mbrojtjes së tyre si dhe duke marrë parasysh faktet në bazë të të cilave bazohet akti, ka miratuar aktakuzën ndërsa ankesat i ka hedhur poshtë si të pabaza”.

Kjo nënkupton se për incidentin e 9 dhe 10 majit do të ketë proces gjyqësor.

Nga ana tjetër, edhe avokatja tjetër, Artene Ademi, thotë se, me ketë vlerësim vetëm kalohet në fazë tjetër. Dhe se, gjatë procesit do të dëshmohet se grupi i Kumanovës nuk ka të bëjë me veprën “terrorizëm”.

“Edhe pse Gjykata vlerëson se ka prova të mjaftueshme se ekziston dyshimi për veprën penale “terrorizëm dhe organizatë terroriste. Mirëpo jam e bindur se gjatë procesit gjyqësor, gjatë seancave gjyqësore do ta vërtetojmë të kundërtën se nuk ka të bëjë me veprën terrorizëm. kjo është vetëm një fazë e procesit që do të thotë se kalon në fazë gjykimi, nuk do të thotë se vërtetohet kjo aktakuzë”, shprehet avokatja

scroll to top