Babi u vrau nënën dhe tezen, dy fëmijët e mitur nuk e dinë ende, ku jetojnë tani

Babai u vrau nënën dhe tezen, dy fëmijët përfundojnë në fshatin SOS në Tiranë.

Dy vogëlushët e çiftit Gazmend Musta dhe Gentiana Çaushaj, pas ngjarjes së rëndë të ndodhur më 2 janar, janë zhvendosur drejt kryeqytetit për t’u strehuar te Fshatrat e Fëmijëve SOS në Sauk. Jonida, 7 vjeç, dhe Florian, 3 vjeç, edhe pse ndodheshin në banesë në momentin kur babai i tyre Gazmend Musta masakroi nënën Gentiana Çaushaj, 31 vjeçe, dhe tezen, Milisa Caushaj, 18 vjeçe, ata ende nuk e dinë të vërtetën.

Dy fëmijët mendojnë se nëna e tyre do të shkojë t’i takojë bashkë me babanë, pa e ditur se Gentiana ka ndërruar jetë, ndërsa babai vrasës ndodhet pas hekurave të burgut. Familjarët e nënës, ku fëmijët kanë qëndruar për disa ditë pas ngjarjes, u kanë thënë fëmijëve se mami është sëmurë dhe ndodhet në spital.

Pas ngjarjes së rëndë, fëmijët i mbajti nëna e dy viktimave, por duke parë gjendjen e rënduar shëndetësore dhe psikologjike të gruas së moshuar, institucionet vendosën që fëmijët të mbahen në një vend më të sigurt, ku do të mund të marrin shërbime dhe edukim konstant.

Gjithashtu, babai i 31- vjeçares ndodhet në gjendje aspak të mirë shëndetësore, kurse i vëllai, gjatë ceremonisë së varrimit të të dyja motrave, pësoi vdekje klinike dhe vetëm pas ndërhyrjes së mjekëve u bë i mundur rikthimi i tij në jetë.

XHELOZIA

Familjarët e të dyja palëve kanë dhënë versionet e tyre në lidhje me dijeninë që kanë pasur për marrëdhënien në çift mes Gazmendit dhe Gentianës. Këto probleme kanë ardhur kryesisht për shkaqe xhelozie. Madje, kjo marrëdhënie është bërë shkak që disa muaj më parë Gentiana të largohej nga i shoqi.

Babai i autorit, Bedri Musta, u ka thënë hetuesve se çifti kishte pasur probleme edhe më herët, për të cilat familja kishte ndërhyrë për t’i pajtuar, ndërsa ka pranuar se i biri ka komunikuar me të fill pasi ka vrarë gruan dhe kunatën. Ndër të tjera, i ati i autorit, ndërsa ka pranuar se zanafilla e kësaj tragjedie kish nisur muaj më parë, kur Gentiana Çaushaj ishte larguar nga i shoqi duke shkuar te familja e saj dhe më pas kishte vendosur të jetonte te xhaxhai i saj në Fier.

Ajo nuk kishte pranuar që të kthehej në shtëpi. Ka qenë këmbëngulja e Bedriut dhe Gazmendit që ajo të kthehej bashkë më fëmijët. Madje, para se ajo të kthehej, kishte kërkuar që të lihej më e lirë, kusht të cilin ia kishin plotësuar, madje edhe të kishte telefon, gjë që më parë nuk e kishte pasur. Pas kësaj, familjes së tyre u duk se iu kthye një lloji harmonie. Vëllai i viktimës, Gjysmir Çaushaj, është shprehur se autori nuk e trajtonte mirë motrën e tij dhe e mbante të mbyllur. Sipas tij, Gazmendi nuk e linte motrën e tij që të dilte nga shtëpia, e fyente dhe e ofendonte.

AUTORI

Tre ditë më parë, babai i dy të miturve, Gazmend Musta, doli para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. 33- vjeçari pranoi krimin e rëndë, duke thënë se kishte humbur kontrollin pasi e shoqja e kishte fyer disa herë pas refuzimit të tij për ta lënë që të shkonte për vizitë te prindërit në Mallakastër.

“Gruaja nisi të më ofendonte. Nuk i durova dot më dhe pas kësaj nuk di çfarë kam bërë”, ka thënë ai gjatë marrjes në pyetje. Sipas Prokurorisë, sherri mes çiftit ka ndodhur vetëm pak minuta pasi nga shtëpia e tyre është larguar motra e Gazmendit me bashkëshortin e saj. 33-vjeçari ka jetuar dhe punuar në Greqi dhe kishte 6 vite që ishte kthyer.

scroll to top