Ballkani Perëndimor në shënjestër të propagandës ruse kundër BE’së

​Mbyllja e agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, po ndihmon Rusinë që t’i promovojë ndjenjat kundër BE-së në Ballkanin Perëndimor. Kështu fillon një analizë e publikuar në portalin “EUobserver”, që flet rreth orvatjes së Rusisë që përmes medieve të saj të propagandojë kundër BE-së.
Në këtë analizë thuhet se Tanjugu u mbyll pjesërisht me kërkesën e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), i cili tha se qeveria serbe duhet ta privatizojë Tanjugun, gjë që për Serbinë është paksa e vështirë, meqë nuk ka blerës.

Sipas autorit të kësaj analize, Andrew Rettman, Tanjugu kishte fituar një reputacion për gazetarinë e pavarur në vitin 1989, në kohën kur po raportonte për Revolucionin e Rumanisë. Mbyllja e kësaj agjencie, sipas autorit, ia ka hapur rrugën agjencisë ruse të lajmeve “Sputnik”, që të jetë një burim ‘online’ i lajmeve në Serbi, në Republikën Serbe dhe në enklavat serbe në Kosovë. Sputnik ka filluar edhe shërbimin në transmetimin e lajmeve në gjuhën serbe në shkurt të këtij viti.

“Është relativisht e vogël. Është si një bebe, por që po rritet shpejt. E shoh këtë përditë. Në mungesë të Tanjugut, Sputnik do të rritet edhe më shpejt”, thotë për EUobserver, Dejan Anastasijevic, një ish korrespondent i Tanjugut në Bruksel, transmeton Republika.info.

Një artikull i publikuar rishtazi, i quajtur “Jo propagandë ruse: Ballkani është qëllimisht i paqëndrueshëm”, thotë se Perëndimi po nxitë jostabilitet në rajon si një pretekst për ndërhyrje. Një tjetër artikull thotë se “Shqiptarët e Kosovës po planifikojnë masakra, me bekimin e Perëndimit, kundër serbëve të Kosovës”. Artikulli i tretë qiti në pah një “plan sekret” të Perëndimit për të rrëzuar Miroslav Dodikun, kryetar i Republikës Serbe. Në këtë artikull thuhej se plani është për të bashkuar Bosnjën nën sundimin mysliman pas Krishtlindjes.
Kontekst i rrezikshëm
Autori i cilëson këta artikuj se vijnë në një kontekst të rrezikshëm. Më 7 dhjetor, një i panjohur gjuajti me armë në një shtëpi private dhe në një monument në fshatin Gorazhdec në Kosovë. Ditën e nesërme, një tjetër person gjuajti me armë në një shitore në fshatin serb, Serbobran, shkruan autori.

Autori Rettman përmend edhe protestat e dhunshme në Kosovë, të cilat po mundohen të stopojnë një marrëveshje të BE-së për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në anën tjetër, ai përmend edhe protestat në Mal të Zi për ndaljen e hyrjes në NATO të këtij vendi.

Sipas tij, autoritetet serbe nuk e shohin propagandën ruse si një kërcënim. Një burim tha për EUobserver se rruga e Serbisë për në BE është e pakthyeshme. “Ne do t’i hapim kapitujt e parë në dhjetor për hyrje në BE. Ky është qëllimi kryesor. Kur Serbia t’i hapë këta kapituj, atëherë nuk ka kthim prapa”, tha ai.

Autori thotë se i njëjti burim ka thënë se “Rusia nuk ka gjë kundër anëtarësimit të Serbisë në BE. Porse e kundërshton anëtarësimin e saj në NATO”.

Sipas këtij burimi, që sipas autorit është serb, agjencia Sputnik ka tema origjinale dhe intervista të mirëfillta.

Me qëllim të kundërvënies së propagandës ruse, shërbimi i jashtëm i BE-së krijoi gjatë kësaj vere një medie komunikimi të quajtur “StratCom East”. Aktualisht, mandati i saj është mbulimi i vendeve të BE-së dhe i vendeve ish sovjetike, si për shembull Moldavia dhe Ukraina. Ajo funksionon përmes disa reporterëve dhe ‘bllogerave’ ballkanas që informojnë për artikuj të rremë.

“E dimë që ka sfidë dezinformuese në Ballkanin Perëndimor, po ashtu. Megjithatë, ne nuk mund të bëjmë më shumë sesa t’i përcjellim ato” tha një burim i BE-së.
Komisioni i BE-së e ka futur në proces privatizimin e medies në Serbi. Sipas autorit, Serbia nuk ka bërë ndonjë progres në mbrojtjen e medieve nga shteti, nga interesi i biznesit dhe, në raste individuale, nga kërcënimet dhe dhuna kundër gazetarëve.
Anastasijevic, ish korrespondent i Tanjugut, tha se N1 është në rrezik për shkak se po krijon më shumë hapësirë për lajmet ruse.

scroll to top