Barcelona s’po arrin marrëveshje me Ter Stegenin, i cili kërkon pagë të ngjashme me Messin

ter-stegen.jpg

Bisedimet për rinovim kontrate mes Barcelonës dhe Marc-Andre ter Stegenin mbeten ende larg arritjes së një rezultati, pasi që gjigantja e La Ligës nuk po arrin t’ia plotësojë kërkesat e shumta portierit gjerman.

Katalonasit raportohet se po tentojnë ta bindin portierin e parë, Marc-Andre ter Stegenin të nënshkruajë kontratë të re, në mënyrë që ta mbajnë atë edhe për më gjatë në Camp Nou, transmeton Gazeta Express.

Gjermani ka qenë në negociata me drejtuesit e klubit që një kohë të gjatë sa i përket të ardhmes së tij, pasi që kontrata e tij aktuale përfundon në verën e vitit 2022.

Ter Stegen nuk është shprehur i bindur për të ardhmen e tij kur është pyetur nga gazetarët, përderisa mediumet spanjolle dhe angleze e lidhin atë me një interesim nga gjiganti i Premierligës, Chelsea.

Megjithatë, gazeta spanjolle Sport raporton e bindur se Ter Stegen dëshiron të qëndrojë në Camp Nou përtej vitit 2022, mirëpo mendon se e meriton të jetë ndër më të paguarit në klub për shkak të kontributit që e ka dhënë në klub.

Barcelona kishte shprehur t’u japë fund këtyre spekulimeve duke e bindur Ter Stegenin të nënshkruajë kontratë të re, megjithatë kërkesat e gjermanit kanë ndikuar që ky tentim të mos ketë sukses deri më tani.

Kjo pasi që Goal ka mësuar se Ter Stegen po kërkon pagë rreth 15 milionë euro në vit, që do ta vendoste mbi të gjithë të tjetër në Camp Nou, përveç Lionel Messit. /Gazeta Express/

scroll to top