Basha thërret për përmbysje, por i ikën zëri

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi largimin e qeverisë. Në fjalën para protestuesve, Basha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe shtoi se e vetmja zgjidhje është “shkatërrimi nga themelet”.

“Nuk ka tjetër zgjidhje tjetër. Të largohen, të shporren. Kjo është zgjidhja që vjen nga mbushja e kupës dhe vrasja e shpresës. Ky nuk është e nuk mund të jetë kurrë shteti ynë. Ata i gënjen mendja se nuk ka kush t’i shkarkojë. I shkarkon populli, i shkarkoni ju”, tha Basha.

Basha ripërsëriti akuzat e hedhura nga selia blu ndaj qeverisë, e cila sipas tij “është një bandë që nuk ka ndërmend të ndalet, po nuk i ndalëm ne, sot”.

“Nuk ndodh të ikë populli e të qëndrojë qeveria. Duhet të ikin ata. Populli është fuqia supreme në qeveri. Ky është ligji i artë i demokracisë”, tha Basha, i cili siç ndodh zakonisht në protesta të kësaj natyre, u përball me ngjirjen e zërit.

Fjala e Bashës ka shënuar edhe fundin e protestës para Kryeministrisë.

scroll to top