Behixhudin Shehapi: Mbështetje institucioneve kulturore në Tetovë

Me këtë rast, Shehapi ka nënvizuar se institucionet kulturore në Tetovë do të vazhdojnë të kenë përkrahjen institucionale.

“Me koordinatorin e ndërtimit u informuam me disa probleme, por gjithashtu u informuam edhe për tejkalimin e problemeve që në masë të madhe na inkurajoj dhe na gëzoj aty ku ka ngecje, në vazhdimësi ne si qeveri, si Ministri e Kulturës, por edhe me organet qeveritare do të bëjmë përpjekje maksimale që të menaxhojmë punën dhe shpresoj që ky projekt kapital për një kohë shumë të shkurtër do të dalë me vizionin e vet”- deklaroi sekretari shtetëror pranë Ministrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi.

“Ky projekt është një ndër më kapitalët në trevat shqiptare në Maqedoni në vlerë diku prej 14 milion euro, i cili prej sivjet ka hyrë në fazën e ndërtimin dhe realizimit sipas dinamikës që është parë më herët. Deri tash janë paraqitur disa probleme të papritura, siç tashmë e ka të njohur edhe publiku edhe ju, problem me kioskat të cilat na u paraqitën, por nuk mendohet se do të ketë problem, por kemi ardhur me një konkluzë të qeverisë të mos pengohen fare punimet gjatë realizimi të ky projekti”- theksoi drejtori i Pallatit të Kulturës, Haki Hakiut.

“Mbrëmë kishim edhe ministren e Kulturës, e cila së bashku me sekretarin shtetëror na ka bërë me dije se të gjitha projektet që do të vijojnë për vitin 2016 në teatrin e Tetovës do të jenë me një buxhet të dyfishuar, diku edhe të katërfishuar. Vlen të përmendet përkrahje që do t’i jepet festivalit Ndërkombëtar i cili vit do të jetë jubilar”- theksoi drejtori i teatrit, Valmir Aziri.

Sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Behixhudin Shehapi, vizitoi edhe Galerinë e Arteve në Tetovë, ku u njoftua me projektin e rekonstruimit të shtëpisë së Mehmet Pashë Derallës, ministrit të parë të Mbrojtjes në Qeverinë e Ismail Qemalit.

“Ky është një objekt i llojit të vet dhe që përfaqëson periudhën e fillim-shekullit 20. Ndërsa për realizimin e këtij projekti kemi marrë përgjigjen se janë akorduar diku rreth 10 milion denarë”- u shpreh drejtori i Qendrës Nacionale për Konservim, Memet Selmani.

“Për ndryshim nga viti i kaluar kemi pasur më shumë projekte, gjithsej nëntë projekte, nga ato katër janë realizuar dhe na kanë ngelur pesë projekte deri në fund të vitit sa i përket rekunstrimit të galerisë falënderojmë “Tikën” që dha kontribut”- tha drejtori i Galerisë së Arteve, Afrim Ziberi.

Për objektin e teatrit dhe bibliotekës së Tetovës qeveria ka ndarë rreth 14 milion euro, ndërsa sipas paralajmërimeve ky projekt duhet të përfundojë në vitin 2017. Ndërsa për meremetim dhe rregullimin e shtëpisë së Memet Pashë Derallës janë ndarë diku rreth 10 milion denarë.

scroll to top