Bejta nuk ndalet, rinovon plotësisht shkollën në Tërnovë

I udhëhequr nga parimi që të investohet në çdo vendbanim pa marrë para sysh numrin e popullatës, kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, përuruan rinovimin e tërësishëm të shkollës fillore periferike “Gjon Buzuku”, në fshatin Tërnovë të Malësisë së Thatë.

“Për mua është një ditë e veçantë që ndodhem në Tërnovë, fshatin e shumë veprimtarëve që kanë dhënë kontribut për shoqërinë shqiptare. Jemi në vendlindjen e dëshmorit të vitit 2001, Isë Fazliu. Ne si Komunë bashkë me afaristët e Gostivarit, kemi bërë rinovimin e plotë të shkollës fillore të fshatit Tërnovë, dhe tani mund të them se është një nga shkollat më të bukura të Malësisë. Ka ngelur pa rinovuar vetëm shkolla e fshatit Strajan ku mësojnë shtatë nxënës, dhe besoj se vitin e ardhshëm edhe këtë shkollë do ta rregullojmë, dhe atëherë do të kemi kompletuar gjitha shkollat e Malësisë. Dëshirojmë që nxënësve këtu tu krijojmë kushte të njëjta si nxënësve në qytet”, tha kryetari Nevzat Bejta, duke shtuar se ky investim i përbashkët me afaristët e Gostivarit në shkollën e Tërnovës ka kushtuar 17 mijë euro, dhe pjesën më të madhe të financimit e ka bërë Komuna.

Me këtë rast, kryetari Bejta shprehu mirënjohje për pronarët e kompanive donatore, edhe atë: Durmo Tours, Im – Beton, Satex, Asani Kompani, Jefuta dhe banori i këtij fshati, Shamiron Tahiri.

Këshilltari komunal nga kjo zonë, Imran Zhupani në emër të banorëve të fshatrave të Malësisë shprehu falënderim për drejtuesit e Komunës së Gostivarit dhe kryetarin Nevzat Bejta, për investimet e kryera sidomos në sferën e arsimit.

Në emër të nxënësve, kolektivit pedagogjik, prindërve dhe banorëve të fshatit Tërnovë dhe fshatrave përreth mirënjohje drejtuar kryetari Bejta shprehu drejtori i shkollës fillore qendrore “Gjon Buzuku”, Isa Mislimi.

Gjatë vizitës në fshatin Tërnovë, kryetari Nevzat Bejta u premtoi banorëve edhe rregullimin e fushës sportive tek oborri i shkollës si dhe asfaltimin e rrugës nga qendra e fshatit deri tek shkolla dhe varrezat.

Në respekt të kryetarit të Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta, amviset dhe banorët e fshatit Tërnovë kishin përgatitur dhe shtruar një drekë të begatë me ushqime tradicionale, për çka, kryetari Nevzat Bejta shprehu konsideratën e tij të lartë.

rinovohet_plotesisht_shkolla_e (1)

scroll to top