Berat Buzhala: E meritonim lirinë, por jo shtetin

Kjo është një përgjigje imja ndaj zhvillimeve të fundit në Kosovë.
Pyetja që më së shumti po shtrohet këto ditë e këto javë është kjo: Çka po ndodh kështu?

Në fakt, kjo pyetje nuk është e sotit. Këtë pyetje e kemi shtruar gjatë gjithë historisë sonë. Ne vazhdimisht kemi qenë shumë të mirë për të pyetur, por shumë të ngathët për të dhënë përgjigje. Dhe kjo jo vetëm në politikë. Ne pothuajse nuk kemi përgjigje për asgjë.

Çdo gjë është një pikëpyetje e madhe për ne, por ketë herë po e trajtojmë këtë çfarë po na ngjet në politikë.

Pra, më të vërtetë: çka po ndodh?

Sipas mendjes sime, asgjë e pazakontë, ose asgjë e jashtëzakonshme. Së paku, asgjë që nuk e kemi ditur, ose jonormale. Thjesht, po dalin në sipërfaqe ato që të gjithë i kemi ditur, e që ndoshta kemi hezituar t’i themi. Ose, i kemi thënë, por jo në mënyrë të plotë.

Procesi i zhvillimeve shoqërore në vendin tonë kishte ecur në mënyrë të rrëmbyeshme, në dy dekadat e fundit, e në mënyrë të tillë po vazhdon edhe sot. Prej kur u rrënua autonomia politike e vitit 1989, e deri kur shpallëm pavarësinë në vitin 2008, ne i kemi ngatërruar dëshirat: njëra që ishte për të qenë të lirë, pra që askush të mos na vriste, të na rrihte e të na burgoste, pra një dëshirë shumë bazike, dhe tjetra për të pasur shtet të pavarur, të udhëhequr prej nesh.

Gabimisht kemi menduar se duke qenë të lirë, e pa zgjedhë rreth qafës, automatikisht jemi të përgatitur për të pasur edhe shtet tonin.

Të drejtën për të qenë të lirë ne e kishim merituar që në fillim të viteve ’90. Ndoshta edhe më herët, mirëpo posaçërisht gjatë dekadës së fundit të shekullit të kaluar Serbia e humbi secilën të drejtë për të na pasur qytetarë të saj – për të na sunduar. Për shkak të dhunës sistematike dhe të planifikuar që kishte ndaj nesh, si qytetarë të saj.

Këtu lindi keqkuptimi i madh.

Serbia humbi të drejtën për të na qeverisur, por kjo nuk nënkuptoi që ne automatikisht u poqëm për ta qeverisur vetën. Edhe po të donim të piqeshim, nuk e kishim këtë mundësi.

Për një dekadë, 1989-1999, jetuam krejtësisht jashtë ligjit. Ndërsa për një shekull, 1912-1999, ne dhe ligji kishim qasje të ndryshme ndaj njëri-tjetrit. Me një fjalë, raporti ishte i njëanshëm. Kishim detyrime ndaj ligjit – të rënda – por ligji nuk e kishte asnjë detyrim ndaj nesh. Kjo do të thoshte që i druheshim ligjit, e së këndejmi edhe shtetit. I respektonim prej frikës, e jo pse besonim në organizime të tilla shoqërore, që ishin pjellë e mendjes së filozofëve të iluminizmit. Pra, nuk ishim asnjëherë pjesë e organizimeve të tilla shoqërore, në formë shtetesh, pse kishim besuar në ‘kontrata shoqërore’ a aksiome të tjera të ngjashme, por pse thjesht e kishin rrëmbyer një territor, bashkë me popullatën, duke instaluar mbi ta koncepte moderne – siç ishte shteti – në forma barbare, me anë të vrasjeve në masë.

Ne, madje, kemi kaluar, pa qenë fare të vetëdijshëm, edhe nëpër rende të ndryshme shoqërore. I kemi kaluar ato, pa e vrarë aspak mendjen, ashtu sikur një person i kalon dy-tri palë shkallë.

Për ne, plot ngjarje të mëdha historike nuk kanë ndodhur.

Për ne, si shoqëri, si komunitet, si etni, plot ngjarje të rëndësishme historike nuk kanë ndodhur fare. Ne nuk i kemi shënuar ato. Nuk i kemi parë ato. Për ne, Revolucioni Borgjez Francez nuk ka ndodhur. Përderisa në Europë gjaku ka ecur vadë për shekuj të tërë, për më shumë liri e për më shumë të drejta, posaçërisht për ‘kontrata shoqërore’, me të cilat do të rregulloheshin raportet ndërnjerëzore, ndëretnike, ndërreligjioze, ne jemi përballur me telashe krejtësisht të tjera.

Nuk është puna që populli nuk e paska lexuar Voltaire’in, a Montesquieu’n, a Hobsin, a Locke’in, a plot të tjerë. Këta nuk i kanë lexuar as gjithë populli francez, e po besoj as anglezët, e gjermanët. Puna është që këta, te ne, nuk i ka lexuar askush. Sepse, kemi qenë krejtësisht në të tjerë ujëra. Të vetmen herë kur kemi pasur telashe të njëjta me Europën, gjatë kësaj etape historike, ka mundur të jetë murtaja, ose vdekja e zezë. Ajo nuk ka pyetur për territore. Ka vrarë në të gjitha anët, e edhe neve.

Ne verbërisht kemi kaluar dekada, shekuj, e madje mileniume, pa qenë të vetëdijshëm se vitet nuk janë vetëm numra.

Duke u zvarritur, në mënyrë shumë të dhimbshme e të përgjakshme, kemi mbërritur në fundin e shekullit ‘20. Kur pjesa tjetër e Europës ishte në kulmin e zhvillimeve teknologjike, ne edhe më tutje ishim me thikë në qafë. Edhe më tutje të pavetëdijshëm. Përgjatë gjithë viteve ’90, busull morale dhe patriotike i kishim ca shkrimtarë tanë të dobët të fundshekullit ’19. Mirëpo, për shkak të forcimit të mediave perëndimore, për shkak të informatave të shpejta, Serbia, e udhëhequr prej një kasapi, siç ishte Milosevic, e humbi betejën kundër nesh. Jo pse ne patëm liderë të shquar, por pse ne patëm viktima.

Perëndimi, për këto arsye, vendosi t’ia marrë Serbisë të drejtën për të na qeverisur. Atë, fillimisht nuk na e dha, sigurisht prej frikës që ishim krejtësisht injorantë në këtë drejtim.

Pas një përpjekjeje ndërkombëtare, me një kurs intensiv prej 8 vjetësh, u mendua që u bëmë gati për ta nisur rrugën tonë në mënyrë të pavarur.

Nuk ishte vetëm kjo, pra vetëm dëshira e bashkësisë ndërkombëtare për ta bërë Kosovën shtet. Por, ishte e qartë se secila zgjidhje tjetër, pos pavarësisë për Kosovën, do të ishte e keqe dhe e paqëndrueshme. Gjërat kishin shkuar shumë larg, kryekëput me fajin e Serbisë, që të mund të bëhej fjalë për ndonjë lidhje të mëtutjeshme më ta. Protektorati nën Kombet e Bashkuara, ose nën ndonjë mekanizëm tjetër ndërkombëtar, gjithashtu u bë i tepërt, marrë parasysh palavdinë e misionit të UNMIK’ut.

Me fjalë të tjera, në tryezën tonën, por edhe të SHBA’ve dhe BE’së, kishte ngelur vetëm një zgjidhje, pak më e mirë se ato të këqijat: Shpallja e Pavarësisë.

Ligji i shqiptarëve dhe Ligji i ndërkombëtarëve

Pa dashur ta zgjas më tepër, me shpresën modeste që edhe më tutje po vazhdoni të më lexoni, po provoj ta elaboroj përse ne nuk ishim të gatshëm për të pasur shtet dhe për të qenë të pavarur.

Në Kosovë, që prej qershorit të vitit 1999, kur vendi ynë u çlirua kryekëput prej forcave të NATO’s, kemi jetuar me persona dhe afër personave që ishin mbi ligjin. Ose, për të qenë edhe më i përpiktë: ishin mbi ligjin që e kishin në dorë shqiptarët, por jo edhe mbi ligjin që e kishin në dorë ndërkombëtarët. Më fjalë të tjera, policia e Kosovës, prokuroria e Kosovës dhe gjyqësia e Kosovës, nuk kanë qenë kompetente për t’i trajtuar një kategori të qytetarëve të Kosovës. Normalisht që ligji nuk ua ka ndaluar këtë gjë, por mbi ligjin ishte dhe vazhdon të jetë frika.

Kështu, për shembull, mbi ligjin e shqiptarëve, ose të paprekshëm prej ligjit të shqiptarëve, vazhdimisht kanë qenë: Azem Syla, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Fatmir Limaj, Daut Haradinaj, Rexhep Selimi, Lahi Brahimaj, Sami Lushtaku, Rrustem Mustafa, etj. Mos të harrojmë, të gjithë këta ishin të amnistuar, jo vetëm si individë, por edhe me familjet e tyre të gjëra, përfshirë baballarët, vëllezërit, motrat, nipat, kushërinjtë nga baba, dajat, tezet, tezakët, baxhanakët, balldëskat, etj. Pos këtyre si individë, mbi ligjin e shqiptarëve kemi pasur edhe shumë familje dhe shumë mbiemra.

Këta që i përmenda më sipër, pothuajse të gjithë, probleme reale do të duhej të kishin me ligjin e vendit, sepse atë e ngacmonin, e shkelnin, e dhunonin. Kurse, shumicën e herëve, padrejtësisht, u përballën me ligjin ndërkombëtar.

Jeta e tyre, në momente të caktuara, ka qenë mjaft e rëndë. Kanë kaluar nëpër periudha të tmerrshme. Procese të gjata dhe të mundimshme. Këtu, s’kam asnjë dilemë. Por, të shumtën, ose në masën më të madhe, të gjithë këta, prej drejtësisë ndërkombëtare janë trajtuar në mënyrë të padrejtë. Këta asnjëherë nuk janë trajtuar për çfarë kanë bërë, por janë trajtuar, të shumtën, për çfarë nuk kanë bërë.

Por, duke qenë personalitete të kalitura në vuajtje, të gjithë këta që i përmenda më lart, ia dolën t’i bënin ballë drejtësisë ndërkombëtare, për të arritur këtu ku jemi sot – te përballja me të vërtetën. Pra, sot kemi arritur në momentin kur për të gjithë keqbërësit, e ata janë në të gjitha partitë politike, duhet të veprojë ligji i shqiptarëve: policisë, prokurorisë dhe gjyqësisë. I cili nuk ka vepruar kurrë.

Pse nuk po ndërhyjnë ambasadat?

Sot, pra, është momenti – jo sot si datë kalendarike – kur organet shtetërore të Kosovës duhet ta tregojnë fuqinë e tyre. Duhet të përballën me trazirat. Me nxitësit e tyre. Por, kjo rezulton të jetë e pamundur. Është e kotë të provoj të gjej fjalë të zgjedhura për ta përshkruar ketë pamundësi. Kjo duhet të thuhet me një fjali të thjeshtë: Policia, prokuroria dhe gjyqësia tuten prej figurave të lartpërmendura. Ata nuk kanë guxim t’i përmbushin detyrat e veta, prandaj zvarriten duke bërë improvizime, me shpresën që kjo situatë do të zgjidhet me një marrëveshje politike, prej së cilës të gjithë do të dilnim të kënaqur.

Prandaj, pyetja fillestare e bërë nga qytetarët ‘se çka po ndodh kështu’ është më shumë pyetje retorike sesa në kërkim të ndonjë përgjigje. Ne të gjithë e dimë se çka po ndodh, sepse të gjithë kemi punuar, ose kemi improvizuar, për të arritur deri këtu. Por, ajo që nuk po e dimë, e që nuk po kuptojmë, është: çka po ndodh me Ambasadën Amerikane, ose atë Gjermane? Pse këto dy shtete mike po bëjnë sehir, duke mos intervenuar?

Bashkësia Ndërkombëtare, posaçërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kanë një përvojë mjaft të gjatë të intervenimeve dhe ndërmjetësimeve në Kosovë. Përgjatë gjithë këtyre viteve do të ishin të shumta momentet kur ne do të nisnim luftë me njëri-tjetrin, sikur të mos ishin ambasadorët e SHBA’ve.

Mirëpo, paqja nuk mund të ruhet përjetësisht, mes nesh, prej intervenimeve të ambasadorëve të huaj.

Për këtë arsye, ata tash kanë vendosur që të heshtin. Madje, për më tepër, as nuk po heshtin. Ata, thjesht, po e shtyjnë Qeverinë, Kuvendin dhe organet e drejtësisë, që t’i kryejnë punët e tyre.

Po i shtyjnë që të përballën me frikën.

Pak-a-shumë sikur fëmijët që trembën nga errësira dhe nata, deri në njëfarë moshe. Diçka duhet të bjerë sebep për ta vrarë frikën. Nuk mund të vazhdohet pambarimisht kjo frikë. Irracionale.

Edhe pse në rastin konkret, në këtë tonin, frika e organeve të rendit, e organeve të drejtësisë, ndaj komandantëve nuk është krejtësisht irracionale. Praktikat kanë treguar që ‘baballarët’ tanë kanë kryer edhe veprime konkrete, ndaj kujtdo që është përpjekur ta ndajë drejtësinë.

Liri prej çlirimtarëve

Problemi, pra, tek ne, është shumë më specifik, për disa arsye, sepse luftëra kanë bërë edhe shoqëritë tjera.

Të shumtën, shoqëritë, grupet etnike a religjioze, kur janë futur në luftë, e kanë bërë për të mbrojtur një të drejtë të tyre, ta zëmë shtetin, e jo për të fituar diçka, në rastin tonë lirinë.

Ne, pra, po luftonim për të fituar diçka që nuk e kishim. Dhe kjo kërkonte, e po vazhdon të kërkojë, themelimin e çdo gjejë nga fillimi. Ne nuk e kishim kulturën e shtetit të organizuar. Sepse, para epokës së komandantëve në territorin e Kosovës nuk ekziston jeta e mirëfilltë. Këta, pra komandantët, janë themeluesit e çdo gjëje, për mirë a për keq. Në fillim ishte për të mirë, e tash po del të jetë për të keq.

Këta i kanë caktuar gjyqtarët, prokurorët, policët, etj. E tash, këta të fundit nuk e kanë as dëshirën e as guximin që të dalin kundër tyre, qoftë edhe për ta mbrojtur ligjin. Si të dalin kundër tyre, kur ishin këta që i punësuan? Kanë kaluar shumë vite, por kujtesa edhe më tutje nuk është shuar. Policia e Kosovës, në fillet e saj, në vitin 2000, ishte kryesisht në stilin e milicëve. Pra, ishte e përbërë në masë prej mbi 90 për qind nga grupe ekstremiste. Sigurisht që është rifreskuar prej atëherë, por jo edhe bërthama. E njëjta logjikë është përdorur edhe te gjyqtarët dhe prokurorët.

Prandaj, për organet e drejtësisë, udhëheqësit e tyre, më i rëndësishëm është ai që e ka vënë në atë pozitë, të shumtën në mënyrë jomeritore, sesa Kushtetuta dhe Ligji. Kjo është edhe arsyeja përse Lahi Brahimaj atë ditë para Kuvendit të Kosovës ia çonte maskën njërit prej policëve për ta parë. Sigurisht donte të sigurohej nëse ishte njëri prej atyre që ai, ose dikush i afërt i tij, e kishte emëruar. Në mos ishin ngritur kundër tyre.

Ndryshe ka qenë me vendet e tjera. Ta zëmë, me Kroacinë. Edhe kjo Republikë ka vuajtur një kohë të gjatë prej ‘komandantokracisë’ dhe ‘komandantokraturës’. Por, megjithatë, këta, për dallim prej nesh, edhe para luftës e kishin një sistem të drejtësisë, i kishin gjyqtarët dhe prokurorët, i kishin policët, që respektonin luftëtarët e tyre, ndoshta më shumë seç duhet, por respektonin edhe ligjet në fuqi.

Në rrafshin praktik, tashmë ata komandantë që janë pjesë e aparatit shtetëror po kërkojnë me ngulm që të respektohet drejtësia. Mirëpo, nuk janë të një mendjeje edhe ata që gjenden në opozitë. Do të jetë tepër e vështirë, jashtëzakonisht e mundimshme, që të mbërrijmë në momentin kur të dyja grupet pajtohen që të respektohen organet e drejtësisë, që ndaj tyre të mos bëhet presion. Shumë më e lehtë është që këto dy grupe, ose banda, të pajtohen në të kundërtën: të mos respektohen organet e drejtësisë. Ose, të respektohen veç kur flasin në favor të tyre.

Me një fjalë, ky është mallkimi i shoqërive të vogla dhe të paarsimuara, sikur kjo jona. Këtë që kemi, nuk e kemi merituar. Ata që dhanë më së shumti, pra krahu i luftës, po na marrin më së shumti. Kontributi i tyre në luftë është kthyer në ankth për ne në paqe.

Shpëtimi i vetëm, kjo me gjasë vetëm në rrafshin teorik, do të vijë kur të çohemi për ta kërkuar lirinë tonë të vërtetë. Për ta pasur një shtet të pavarur, jo vetëm nga Serbia, por edhe nga shqiptarët. Për ta pasur një shtet që është neutral dhe objektiv për të gjithë qytetarët e tij.

Deri atëherë, nuk meritojmë asgjë më shumë seç kemi tash. Nuk meritojmë që me gënjeshtra të anëtarësohemi në UNESCO, e në asnjë mekanizëm tjetër kredibil ndërkombëtar.

Secila marrëveshje politike, mes palëve të armiqësuara, do të ishte edhe një improvizim i radhës, për ta tejkaluar një situatë momentale. Por, nuk do të ishte zgjidhje.

scroll to top