Berisha sfidon ndërkombëtarët, pas protestës së dhunshme paralajmëron grusht shteti, Basha distancohet nga dhuna, çarje e re në SHQUP

Sulmi i përmbajtur dhe i kontrolluar ndaj institucioneve gjatë protestës së 8 Dhjetorit ishte një sinjal i qartë se, në protestën e ardhshme, institucionet mund të pushtohen. E pashpresë për t’u përballur në zgjedhje me shumicën në pushtet, Partia Demokratike ka vendosur të zgjedhë rrugën e vetëflijimit politik dhe të kaosit, si e vetmja mundësi për të mbijetuar politikisht. Ndërkaq, disa orë pas protestës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian dhe OSBE kanë dënuar dhunën në protestën e SHQUP, ndërsa kanë paralajmëruar Lulzim Bashën dhe Sali Berishën, duke i identifikuar si orkestrues të dhunës. Nga ana tjetër, pas një heshtje të shkurtër, mëngjesin e djeshëm ka ardhur edhe qëndrimi i Sali Berishës. Ky i fundit, u është përgjigjur ndërkombëtarëve, me anë të gazetës “Rilindja Demokratike”, organ zyrtar i Partisë Demokratike. Gazeta e PD është hapur me titullin “Nuk ke parë asgjë akoma”, duke kërcënuar hapur kryeministrin Edi Rama. Përpos kërcënimit për qeverinë, titulli ishte një sfidë e Sali Berishës ndaj SHBA, BE dhe OSBE. Themi e Sali Berishës pasi protesta e 8 Dhjetorit konfirmoi edhe një herë se kryetar defakto dhe dejuro i Partisë Demokratike është Berisha dhe jo Lulzim Basha. Në protestë triumfoi platforma e dhunës e Sali Berishës dhe jo linja e Lulzim Bashës. Ky i fundit u detyrua të mbështeste linjën e dhunës. Ndërkaq, Sali Berisha dha dje një mesazh të qartë. Me anë të titullit hapës së Rilindjes Demokratike, Berisha konfirmoi vijimin e skenarit të dhunës dhe të destabilizimit. Në mesditë, Berisha paralajmëroi në facebook se protesta e 8 Dhjetorit ishte vetëm fillimi. “Protesta mbarëpopullore do të të hedhë aty ku e ke vendin, në koshin e plehrave të etërve të tu barbar”, ka kërcënuar Berisha. Teksa policia nisi valën e arrestimit, Berisha ka sinjalizuar përshkallëzimin e aksionit opozitar, duke shkuar drejt grushtit të shtetit. Nga ana tjetër, zverdhja dhe trembja e qeverisë, duket se i jep një impuls të ri revanshit të opozitës. Kryeministri Edi Rama dhe ministrit i Brendshëm, Saimir Tahiri, tërhoqën policinë, duke u lënë terren protestuesve.

Basha distancohet nga dhuna

Protesta e 8 Dhjetorit përçan SHQUP. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është distancuar dje nga dhuna në protestën e 8 Dhjetorit. Ndryshe nga Berisha, Lulzim Basha ka dënuar dje dhunën ndaj institucioneve, duke ia pasur Berishës autorësinë e orkestrimit të dhunës. Lulzim Basha mbajti një fjalim të gjatë, por u tregua i kujdesshëm tek paralajmërimet, duke konfirmuar se BE-SHBA ia kanë tërhequr veshin. Kreu i PD ka implikuar në një farë mënyrë Berishën në aktet e dhunës, teksa tha se sulmi me gurë nuk ishte parapërgatitur nga opozita. “Partia Demokratike do të jetë gjithmonë e distancuar nga aktet e dhunës. Është falë PD që dje ai vërshimi i madh popullor që mund të merrte përpara edhe 10 Kryeministri, u përmbajt”, tha Basha.

Përplasja e shifrave

Menjëherë pas protestës kanë nisur polemikat për numrin e pjesëmarrësve. Lulzim Basha e konsideroi protestën si më e madhja që është mbajtur ndonjëherë, duke i dhënë një mesazh Berishës. Megjithatë, Partia Demokratike pretendoi se në protestën e 8 Dhjetorit morën pjesë 400 mijë njerëz. Sipas PD, në shesh ishin rreth 400 mijë njerëz. Ky ishte një pretendim i Lulzim Bashës. Por, organi zyrtar i Partisë Demokratike, “Rilindja Demokratike”, thotë se në shesh ishin 250 mijë njerëz. Meqenëse RD reflekton linjën e Sali Berishës, ky i fundit ia ka hequr rreth 150 mijë protestuesve Lulzim Bashës.

scroll to top