Besimi u takua me ambasadorët e vendeve-anëtare të BE-së në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane Dr. Fatmir Besimi, bashkë me Ambasadorin dhe Shefin e Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë, Aivo Orav, në pritje të takimeve të Këshillit të BE-së dhe Këshillit Evropian, të cilat do të mbahen gjatë javës së ardhshme në Bruksel, realizoi takim pune me ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së.
Në takim Zëvendëskryeministri Besimi, iu referua raportit të fundit të Komisionit Evropian për vendin dhe informoi për aktivitetet konkrete të ndërmarra dhe për aktivitetet e planifikuara të Qeverisë për adresimin e rekomandimeve nga Raporti, duke përfshirë edhe progresin në zbatimin e Reformave Urgjente Prioritare. Gjithashtu, Zëvendëskryeministri theksoi se një pjesë e madhe e detyrimeve të dakorduara politikisht janë realizuar ose janë duke u realizuar. Edhe pse realisht ekzistojnë çështje të caktuara të hapura për të cilat akoma bisedohet, vullneti politik është kyç për finalizimin e detyrimeve dhe hyrjen në fazën e përgatitjeve konkrete për organizimin e zgjedhjeve parlamentare, të planifikuara për muajin Prill.
Ambasadori Orav si dhe ambasadorët e vendeve anëtarëve të BE-së, shfaqën interes për zbatimin e plotë të Marrëveshjes politike të Qershorit/Korrikut, si dhe për rezultate të dukshme dhe progres në zbatimin e Reformave Urgjente Prioritare. Interes të veçantë paraqet formimi i Komisionit Shtetëror Zgjedhor, fillimi i tij me punë dhe organizimi në kohë i zgjedhjeve, duke përfshirë edhe përgatitjen e Listave Zgjedhore.
Si rezultat i diskutimit të hapur dhe miqësor gjatë takimit, për periudhën e ardhshme, u dakorduan takime të rregullta dhe tematike për progresin në zbatimin e Reformave Urgjente Prioritare, me qëllim të informimit të detajuar dhe në kohë të vendeve anëtare dhe institucioneve të BE-së për progresin tonë.
scroll to top