Boiken Abazi, Arbër Zaimi dhe Dejona Mihali qëndrojnë ilegalisht në Kosovë – pritet deportimi i tyre

Boiken Abazi, Arbër Zaimi e Dejona Mihajli në bazë të verifikimeve nga Policia e Kosovës, rezulton se kanë raste të hapura, të gjithë, për vepra penale.

Për shkak të këtyre veprave atyre mund t’u ndalohet hyrja në Kosovë prej 30 ditë deri në 5 vite. Abazi, Zaimi e Mihali asnjëherë deri më tash nuk kanë kërkuar leje-qëndrimi në Kosovë. Kjo përbën shkelje te ligjit pasi që askush nuk guxon të qëndrojë brenda një shteti pa leje qëndrimi

Boiken Abazi, Arbër Zaimi e Dejona Mihali janë aktivistë dhe anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, me shtetësi shqiptare.

Deri më tani treshja asnjëherë nuk kanë parashtruar kërkesë për leje-qëndrim në Kosovë, ka konfirmuar për Express, Ministria e Punëve të Brendshme.

Qëndrimi brenda një shteti, pa leje të qëndrimit, përbën kundërvajtje në vete, sepse në asnjë shtet nuk lejohet që personi – shtetas i huaj të qëndrojë pa leje-qëndrimi. Kësisoj, qëndrimi i tillë është ilegal dhe mund të sanksionohet me deportim dhe ndalim të hyrjes në Kosovë deri në pesë vite.

“Pasi që Policia të bëjë përllogaritjen se a e kanë tejkaluar qëndrimin afatshkurtër prej 90 ditëve, brenda 6 muajve të fundit, gjë që konsiderohet si qëndrim i paligjshëm, sipas nenit 93, të Ligjit për të Huaj, Policia mund të ndërmarrë masën e shqiptimit të gjobës dhe të urdhër-largimit nga RKS për shkak tejkalimit të këtij afati, sipas Ligjit për të Huajt”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Policisë së Kosovës, për Express.

Këta tre persona, të dyshuar për vepra penale në vendin tonë, në bazë të dispozitave të Ligjit për të Huaj nr.04/L219, shtetasit e huaj që veprojnë në kundërshtim me dispozitat ligjore mund të sanksionohen me gjobë, urdhër-largim vullnetar, me ndalesë të hyrjes dhe urdhër-largim me forcë, po ashtu me ndalesë të hyrjes në territorin e Kosovës. Ndërsa sipas ligjit për të huajt,  një të huaji mund t’í ndalohet hyrja në Kosovë nga 30 ditë deri në 5 vite.

Në anën tjetër, Policia nuk disponon as adresat e qëndrimit të tyre dhe të dhënat e tjera se ku ndodhen, ndërkohë që thonë se të gjithë personat e lartpërmendur, sipas sistemit të evidentimit kanë hyrje-dalje të shumta, ndërsa për momentin gjenden në Kosovë pasi nuk kanë dalje.

Policia bën të ditur se deri më tani askush nuk ka kërkuar që të merren masa për deportimin e Abazit, Zaimit e Mihalit nga Kosova.

scroll to top