Bosnja e Hercegovina, në prag të një lufte të re mes serbëve dhe boshnjakëve

Bosnja dhe Hercegovina është futur në një krizë të thellë dhe të rrezikshme, e cila mund të ketë pasoja të paparashikueshme dhe mund ta çojë vendin drejt konflikteve të reja, vlerësojnë shumica e mediumeve boshnjake, pas vendimit të autoriteteve në Republika Srpskas për ndërprerje të bashkëpunimit me Gjykatën dhe Prokurorinë qendrore dhe Agjencinë Shtetërore për hetime dhe mbrojtje (SIPA).

Kriza gjendet në ballinat e të gjitha gazetave ditore në Bosnjë, pa marrë parasysh se cilit entitet i takojnë.

Gazeta “Avaz” shkruan se bëhet fjalë për eskalim të përplasjeve në relacionin Sarajevë-Banja Llukë (kryeqytet i Republika Srpskas), që zgjat tani disa muaj.

Gazeta “Osllobodjenje” citon deklaratën e presidentit të RS, Millorad Dodik, sipas të cilit të enjten për pak nuk ka ndodhur konflikt i armatosur mes pjesëtarëve të SIPA-s dhe policëve lokalë serbë, në qytezën Bosanski Novi, gjatë aksionit për arrestim të pesë serbëve të Bosnjës që dyshohen për krime lufte.

Sipas gazetës “Avaz”, këto deklarata të Dodikut rikujtojnë ndarjet brenda MPB-së boshnjake në vitin 1992, që i paraprinë luftës së përgjakshme në Bosnjë, por janë të ngjashme edhe me “balvan-revolucionin” përmes të cilit paramilitari Milan Martiq filloi kryengritjen serbe në Kroaci.

Qëndrim të ngjashëm kanë edhe disa politikanë, në mesin e të cilëve është edhe anëtari i Kryesisë së Bosnjës, Bakir Izetbegoviq. Ai gjatë vizitës zyrtare në Ankara të enjten, shprehi shqetësim se ky zhvillim i ngjarjeve në Bosnje mund të rrezikojë paqen.
Në analizat e para lidhur me vendimin e Milorad Dodikit për të ashpërsuar deri në fund raportet dhe lidhur me kërcënimet e tij me konflikte të armatosura, thuhet se në prapavijë të kësaj mund të jetë tentimi i kryetarit të RS-së për të mbrojtur pushtetin e vetë për shkak të përndjekjeve të mundshme për krim.

Këtë qëndrim posaçërisht e shprehin partitë opozitare serbe. Ato nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të RS-së, ku janë miratuar konkluzat për ndërprerje të bashkëpunimit me policinë dhe prokurorinë shtetërore.

“Jam i bindur se këto konkluza janë të motivuara ekskluzivisht me faktin se shumë afera të mëdha korruptive janë në prag të ndriçimit”,- ka deklaruar ministri për Çështje Sigurie në qeverinë qendrore, Dragan Mektiq, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike Serbe, e cila në nivel të Republika Srpskës gjendet në opozitë.

scroll to top