Buxheti për 2016 projektohet në 3.2 miliardë euro, Stavrevski: Rritja e BPV-së pritet të jetë 4%; Nikollov: Rritje e rreme për të shpenzuar më shumë

Projektimi bazohet në rritjen e ekonomisë që pritet të jetë 4 për qind, ndërsa inflacioni 2 për qind.

Sipas ministrit të Financave, nëse gjatë 2015, përkundër krizës politike, ekonomia ka shënuar rritje prej rreth 3%, projektimi për rritje prej 4% gjatë vitit 2016 është real.

“Nëse në rrethana të tilla u shënua rritje prej 2.9%, që besoj se deri në fund të vitit do të mbërrijë deri në 3%, kjo tregon se kemi vënë politika të shëndosha dhe se mund të presim që në kohë më të mira dhe më stabile ekonomia maqedonase të shënojë norma më të larta të rritjes, të cilat gjithsesi mund të jenë mbi 4%”- deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavreski.

Sipas LSDM-së, qeveria qëllimisht po parasheh rritje më të lartë, joreale, të BPV-së për të mbledhur më shumë para nga qytetarët dhe për të shpenzuar më shumë për vete. Sipas tyre, buxheti për vitin 2016 është joreal dhe jozhvillimor, pasi këto para dhe mjete qeveria nuk i shpenzon për zhvillim, por për shpenzime joproduktive.

“Këtë dështim që po shënoni me projeksionet është sistematik dhe i qëllimshëm. Parashihni rritje më të madhe të bruto prodhimit vendor me një qëllim, që buxheti të jetë më i madh. Të mblidhni më shumë para. Që të mund të harxhoni më shumë para. Ajo që është më e dhimbshme është se ky parlament, kjo shumicë parlamentare ua ka verifikuar të gjitha këto projeksione të gabuara”- tha Marijanço Nikollov nga LSDM.

Pakënaqësinë nga projektbuxheti për vitin 2016 i para e paraqiti avokati i popullit, Ixhet Mehmeti. Sipas tij, me paratë e parapara për këtë institucion AP nuk mund të realizojë detyrat e domosdoshme.

“Me këtë propozim, institucioni vështirë se do të mund të ushtrojë funksionin e vet të përcaktuar me Kushtetutën e RM-së dhe Ligjin për Avokatin e Popullit. Për shkak të kësaj, AP shpreh pakënaqësi të thellë nga propozim/buxheti për vitin 2016”- theksoi avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Sipas propozim/buxhetit për vitin 2016, shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në 195.788 milionë denarë, të cilat janë për 4,7 për qind më të larta se ato në vitin 2015, ndërsa të ardhurat e përgjithshme janë projektuar në 176.804 milionë denarë, ku ka rritje për 6 për qind krahasuar me vitin 2015. (Shpëtim Nuredini, TVM2)

scroll to top