Cannon: Burgjet e mbipopulluara, por “të rrezikshmit” janë jashtë

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nikolas Cannon, shprehet se çështja e mbipopullimit të burgjeve është shqetësuese. Por sipas tij, akoma më shqetësues është fakti se një numër i madh i të burgosurve kanë kryer vepra të lehta, ndërsa jashtë burgut gjenden persona me rrezikshmëri të lartë.

“Është shqetësues fakti se veprat me rëndësi më të ulët dënohen me burgim. Kjo e fundit është me rëndësi për dy arsye: e para sepse sistemi i burgjeve është i mbipopulluar dhe i mbushur me shkelës ligji për vepra me më pak rëndësi, në vend që të shërbejnë për burgosjen e individëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Kjo do të thotë se hapësirat bëhen më të pakta dhe pakësohen burimet financiare, duke i shtuar kështu një barrë performancës dhe efikasitetit të sistemit penitenciar”, tha Cannon.

Canon u shpreh se Shqipëria ka eksperimentuar me monitorimin elektronik dhe tashmë ka ardhur koha që kjo praktikë të bëhet masive për një pjesë të burgosurve çka do të çonte në uljen e nivelit të mbipopullimit në burgje.

Diplomati britanik u shpreh se mënyra të tjera për të ulur mbipopullimin në burgje janë edhe krijimi i burgjeve të hapura, qendrat e shërbimeve komunitare dhe amendimet që mund të bëhen në Kodin e Procedurës Penale, për ngritjen e një modeli që bazohet në vlerësimin e rrezikshmërisë.

scroll to top