Çfarë rezervon e ardhmja?

Qindra mijëra refugjatë do të mund të qëndrojnë në Evropë për një kohë të gjatë dhe një fund i valës së tyre nuk parashikohet dot se kur mund të ndodhë. Por sirianët që po vijnë janë me një nivel arsimor më të lartë se shumica e popullsisë që kanë lënë pas. Këto dhe shumëçka tjetër janë disa nga gjetjet e një studimi më të fundit të OECD-së

Qindra-mijëra azilkërkues po vijnë drejt Evropës, e rreth 450.000 prej tyre mendohet se do të qëndrojnë me afate të gjata kohore: kaq i madh është numri i refugjatëve që mund të llogarisin marrjen e së drejtës për azil – më i madh se në të gjitha krizat e tjera evropiane qysh nga Lufta e Dytë. Në këtë rezultat arrin një studim i ndërmarrë së fundmi nga Organizata për Bashkëpunimin Ekonomik dhe Zhvillimin (OECD). Për studimin në fjalë, i cili është publikuar në faqen zyrtare të organizatës nën titullin “Migration Policy Debates”, janë analizuar lëvizjet më të reja migratore në Evropë, si dhe politikat e emigracionit të vendeve të klubit të të industrializuarve, OECD. Gjatë vitit në vijim, 700.000 njerëz – sipas tij – kanë kërkuar azil në BE, e numri i tyre mund të kapë shifrën e një milionëve deri në fund të vitit. Ky numër i azilkërkuesve i tejkalon qysh tashmë 630.000 vetët që kërkuan azil në fillim të luftës së Bosnjës në vitin 1992. Jo vetëm për shkak të shifrave të larta të azilkërkuesve, sipas OECD-së, kriza për shtetet pritëse është bërë edhe më e vështirë për t’u përballuar sesa çdo krizë tjetër e mëparshme. Vendet e origjinës janë të ndryshme, arsyet për emigrimin gjithashtu – e kjo e ka bërë më të vështirë, përpunimin më të shpejtë të aplikimeve.

Si gjetjet më të rëndësishme të studimit, mund të rendisnim:

– Numri i sirianëve, irakianëve dhe eritreasve në qershor 2015 ka pësuar një rritje me një të tretën e atyre që ishin më parë. Pritet që kjo kuotë të rritet edhe më tej.

– Rrugët e largimit nga vendlindja janë aq të gjata sa kurrë më parë.

– Gjithnjë e më shumë njerëz vijnë nga Deti Mesdhe drejt Evropës, por gjithnjë e më pak shtetas nga shtetet e Ballkanit Perëndimor, po aplikojnë tashmë për azil.

– Nga vendet anëtare të OECD-së, është Turqia ajo e cila është prekur më së shumti nga kriza. Rreth dy milionë sirianë po qëndrojnë në kampet e saj. Veç tyre, numërohen edhe rreth 300.000 irakianë, afganë dhe pakistanezë.

– Synim kryesor i tyre mbetet Gjermania: 800.000 refugjatë – sipas vlerësimit të Zyrës Federale të Refugjatëve dhe Emigracionit – do të vijnë brenda këtij viti.

– 4000 minorenë të pashoqëruar aplikuan për azil në vitin 2014 në BE – e ky numër është katër për qind i të gjithë azilkërkuesve që ishin në vitin paraardhës. Numri i minorenëve që nuk kanë mbushur asnjë kërkesë për azil, është po ashtu i lartë.

– Një fund të fluksit masiv të vërshimeve të refugjatëve, sipas studimit të OECD-së, nuk duket se do ketë së shpejti. Pasi stabilizimi i gjendjes në shtete si Libia, Afganistani dhe Pakistani, momentalisht shihet po aq i mundshëm, sa edhe vetë fundi i luftës në Siri.

E megjithatë, Evropa, sipas vlerësimit të ekspertëve, paraqitet mirë për në përballje me krizën: Nga njëra anë, kontinenti tashmë ka eksperiencë në përballimin e krizave humanitare. Kështu për shembull, vetëm Gjermania gjatë luftës së Bosnjës në vitet 1992-1995, pranoi më shumë se 300.000 refugjatë. Nga ana tjetër, situata demografike, sipas studimit, sot është e ndryshme nga e asaj kohe. Ka më pak njerëz që mund të konkurrojnë për vendet e lira të punës.

Shkallë arsimore mbi mesataren 

Në të njëjtën kohë, refugjatët, sipas studimit në fjalë, nuk u përkasin vendeve më të varfra të origjinës. Ata shpesh kanë dëshmuar një shkallë më të lartë arsimore sesa mesatarja e popullsisë nga vendet prej nga kanë ardhur, e para së gjithash, sirianët. Këta të fundit paraqiten mesatarisht edhe më mirë sesa refugjatët nga vendet  apo grupet e tjera të së shkuarës. Çdo një në pesë sirianë që kishte aplikuar në periudhën janar 2013 – shtator 2014 në Gjermani për azil, sipas studimit të OECD-së, posedon një diplomë universitare. Organizata sugjeron edhe se si të sillen shtetet me valën e azilkërkuesve dhe se si t’i integrojnë më mirë ata në jetën normale. Vende si Hungaria duhej të merrnin për këtë qëllim më shumë para nga vendet e BE-së. OECD flet për një mekanizëm me shtrirje mbarëeuropiane të shpërndarjes, për të cilin do të diskutojnë nesër në fakt edhe ministrat e Brendshëm të BE-së. Për të integruar sa më shpejt në shoqëri refugjatët, shtetet pranuese, sipas studimit, duhej të ofronin kurse gjuhe dhe t’u mundësonin sa më parë aksesin në arsimim. Në terma afatmesëm, duhej të arrihej edhe integrimi i tyre në tregun e punës. Kjo kërkon ndër të tjera që ata të ofrojnë programe trajnimi për emigrantët. Nga ana tjetër duhet të merreshin masa për të luftuar diskriminimin ndaj të ardhurve të rinj nga punëdhënësit apo nga paragjykimet. (Shqip)

scroll to top