CIA i kishte parashikuar të gjitha: Terrorizëm, atentate, hackersat… në vitin 2015

Në vitin 2000, CIA kishte parashikuar gjithçka. Në raportin “Bota në 2015”, agjencia amerikane e zbulimit provonte të parashikonte skenarët për mijëvjeçarin e ri.
Për shembull, në dosje thuhej: “Cështjet ndërkombëtare do të ndikohen gjithmonë e më shumë nga organizata të mëdha dhe të fuqishme, dhe jo nga qeveritë”. E vërtetë: mendoni për ISIS, për të cilin, Perëndimi flet qysh prej vitit 2012. Brenda pak vitesh, Kalifati i al Bagdadit ka influencuar politikat e jashtme të të gjithë vendeve perëndimore.

Por jo vetëm kaq: mendoni për hackerat kinezë, të dyshuar se kanë vjedhur informacionet e miliona nëpunësve të qeverisë së SHBA, apo ata të Koresë së Veriut, të akuzuar nga FBI se kanë kryer një sulm masiv kundër kompanisë Sony.

Më tej, në raport thuhet: “Që tani e deri në 2015, strategjitë e terroriste do të vijnë duke u sofistikuar, me qëllim rritjen e numrit të viktimave gjatë sulmeve”.

E pamundur të mos mendosh për 11 shtatorin dhe sulmet që tronditën Parisin dhe Francën në 2015. Pa harruar ata të Londrës dhe Madridit.

Më tej, raporti parashikonte që “Iraku dhe Irani do të zhvillojnë armë me rreze të gjatë. Irani (…) mund t’i testojë këto armë në vitin 2001 dhe raketat cruise deri në 2004”. Tetorin e vitit që kaloi, ushtria iraniane ka testuar një raketë të re me rreze të gjatë, që mund të jetë në gjendje edhe të transportojë armë bërthamore.

Raporti i CIA-s parashikonte që në vitin 2015, popullsia botërore do të arrinte në 7.2 miliardë persona: sot jemi 7.4, një parashikim gjithësesi i saktë. Dhe parashikonte që “burimet energjetike do të arrinin të plotësonin kërkesën”, dhe në fakt, mbi të gjitha në SHBA, prodhimi i naftës në vitet e fundit është rritur shumë, ashtu si ai i gazit natyror.

Shërbimi i fshehtë amerikan parashikonte se “ekonomia kineze do të rritet dhe do të kalojë atë të Bashkimit Europian, por do të mbetet pas ekonomisë së SHBA”.

E vështirë të përcaktosh vërtetësinë e kësaj pike: sipas disa vlerësimeve, ekonomia e Pekinit është tashmë më e fortë se ajo e Uashingtonit, dhe sipas të tjerëve, ekonomia europiane është më e madhe se të dyja.

Në fund, një profeci e gabuar: CIA thoshte se “popullsia e shumë vendeve afrikane do të bjerë për shkak të AIDS-it, të urisë apo krizave ekonomike e politike”: nuk ndodhi, sipas vlerësimeve të OKB, deri në vitin 2050 një në katër banorë të planetit do të jetë afrikan (afrikanët, nga 800 milionë në vitin 2000, sot janë 1.1 miliardë)./Bota.al/

scroll to top