“Cipras” privatizon 14 aeroportet e vendit

Koncesion për 40 vjet operatorit gjerman për operim, menaxhim dhe mirëmbajtje 

Qeveria “Cipras” ka nënshkruar dje privatizimin e parë dhe njëkohësisht më të madhin e saj, dhënien me koncesion për 40 vjet për operim, menaxhim, zhvillim dhe mirëmbajtje të 14 aeroporteve rajonale të vendit. Marrëveshja është nënshkruar midis Fondit të Aseteve Shtetërore dhe Zhvillimit nga njëra anë, dhe konsorciumit “Fraport AG” dhe grupit “Copelouzos” nga ana tjetër, që është zgjedhur si një investitor i preferuar gjatë një tenderi që në nëntor të 2014-s. Aeroportet do t’u kalojnë, sipas kontratës zyrtare, në pranverë të vitit të ardhshëm dy kompanive, që do të japin edhe si paradhënie gjithë shumën e rënë dakord prej 1.23 mld eurosh. Tre prej 14 aeroporteve, ai i Selanikut, i Kavalës dhe i Aktiut, që do t’i kalojnë konsorciumit gjerman “Fraport”, që ka nën pronësi dhe menaxhim aeroportin e Frankfurtit, ndodhen në Greqinë Kontinentale. Ndërsa 11 të tjerët në ishujt e Korfuzit, Kretës, Qefalonisë, Kosit, Mitilinit, Mikonos, Rodosit, Samos, Santorinit, Skiathos dhe Zaqinthos, dhe kanë shërbyer vetëm brenda vitit 2015 për lëvizjen e mbi 23 milionë pasagjerëve, prej të cilëve 77% turistë të huaj. Në kompanitë e menaxhimit të aeroporteve, “Fraport AG” do të ketë shumicën e aksioneve, grupi “Copelouzos” do të ketë pjesën e mbetur, ndërsa pronësia e aeroporteve do të mbetet nën kontrollin e shtetit grek për sa kohë zgjat kontrata. Përveç shumës së koncesionit, qeveria greke do të marrë çdo vit edhe 22.9 mln euro. Gjithashtu, në marrëveshje parashikohet se konsorciumi “Fraport-Copelouzos” do të investojë një total prej 330 milionë eurosh në infrastrukturën e aeroporteve deri në vitin 2020, ndërsa në këto dekada, do të ketë edhe investime të mirëmbajtjes, përmirësimit dhe zgjerimit të aeroporteve të përcaktuara nga evoluimi i trafikut të pasagjerëve që mund të arrijnë deri në 10 mld euro. Siç theksojnë drejtuesit e konsorciumit, përfitimet në nivel kombëtar dhe rajonal janë të shumta dhe partneriteti i dy kompanive për këto 14 porta ajrore të Greqisë, që do të përforcohen me infrastrukturë moderne, është një garanci për mbështetjen e suksesshme të turizmit, që është industria e rëndë e Greqisë, veçanërisht në një nga periudhat më kritike që po kalon sot vendi.

scroll to top