Dështimet në diplomaci Thaçi ia adreson BE-së

Viti 2015 do të shënohet si viti më i dështuar diplomatik për Kosovën që nga shpallja e Pavarësisë, më 17 shkurt 2008. Brenda këtij viti diplomacia kosovare ka pësuar tri goditje të mëdha: njohjet, UNESCO-n dhe vizat.

Këtë vit Kosova është njohur vetëm nga dy shtete, edhe atë njëri shtet nuk ka as ulëse në OKB, që konsiderohet si dështimi i parë. Goditja e dytë për diplomacinë kosovare është dështimi në UNESCO dhe së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, është dështimi për të marrë një rekomandim pozitiv nga Këshilli Evropian për liberalizimin e vizave.

I zënë në befasi ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, u shpreh i nervozuar me BE-në, duke quajtur marrëzi vazhdimin e izolimit. Madje, paralajmëroi edhe protesta. Mirëpo, nervozizmi i tepruar i zëvendëskryeministrit të parë, Hashim Thaçi, ndaj raportit të pakos së zgjerimit të Bashkimit Evropian mbi liberalizimin e vizave për kosovarët është kritikuar nga ekspertët politikë në vend.

Analisti, Halil Matoshi, tha për “Zërin” se është ide trishtuese të ngresh shqiptarët kundër Evropës, kundër idesë dhe thelbit të saj vetëm e vetëm për shkakun se ka dështuar Thaçi në përmbushjen e kritereve dhe standardeve për Schengen të bardhë.

“Njeriu që ka dështuar është pikërisht ky, që po i nxit shqiptarët kundër Evropës pas 103 vjetësh përkujdesjeje të Evropës Perëndimore për shqiptarët, për kombformimin dhe shtetformimin e tyre më 1912 dhe për çlirimin, shtetformimin dhe kombformimin e kosovarëve 1999-2008. Thjesht, ankimi në Evropën si relikt i enverizmit është një marrëzi, për më keq, një ulërimë mosmirënjohëse”, ka thënë ai.

Sipas Matoshit, zëvendëskryeministri së pari duhet ta demantojë kakistokracinë, “ta ndalë krimin e organizuar dhe korrupsionin galopant, të përkujdeset për ndarjen e pushteteve dhe balancën mes tyre, të lejojë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe t’i ndalë sharjet majtas-djathtas kundër qytetarëve dhe opozitës parlamentare, si dhe lojërat e dyfishta në Kuvendin e Kosovës, e tek pastaj le të ankohet në Evropën, në BE-në”.

scroll to top