Drejtori Alimi: Klinika në Kozle do të “flasë” edhe shqip

Përkundër kundërshtimit nga Ministria e Shëndetësisë, mbishkrimi në Spitalin Special për sëmundjen e mushkërive tek fëmijët në Kozle, do të jetë edhe në gjuhën shqipe. Këtë e siguron drejtori i këtij institucioni Rijad Alimi. Në hyrje të këtij objekti nuk mund të vërehej ndonjë tabelë që tregon se për çfarë institucioni bëhet fjalë.

Drejtori Alimi thotë se tabela fillimisht ishte vetëm në gjuhën maqedonase, por pas insistimit të tij, tabela është kthyer për tu shtuar edhe gjuha shqipe, dhe e njëjta do të vendoset javën e ardhshme.

“Siç mund ta shihni edhe brenda, dy gjuhësia është zbatuar në përgjithësi, në të gjitha dhomat dhe në të gjitha vendet tjera. Mbishkrimi i spitalit pak u anulua, me qëllim që të bëhet në dy gjuhë, dhe besoj që deri të enjten ose të premten do të realizohet edhe ajo punë, do të thotë mbishkrimi do të vendoset mbi spitalin”, tha Alimi.

Mbishkrimet në dy gjuhë vëreheshin edhe brenda spitalit, kurse drejtori i këtij institucioni edhe fjalimin e hapjes e mbajti në gjuhën shqipe.

“Të nderuar, më lejoni që edhe një herë të shpreh kënaqësinë time që ky vend vital për sëmundjen e fëmijëve tonë, të jetë vend i shenjtë, dhe kam kënaqësinë të jem pjesë e menaxhmentit të këtij spitali. Ju faleminderit”, shtoi ai.

Në hapjen solemne ishin prezent edhe kryeministri Nikolla Gruevski dhe Ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorovo. Kryeministri Gruevski tha se qeveria po vazhdon me modernizimin e sistemit shëndetësor në Maqedoni. I gjithë projekti ka kushtuar 8 milion euro, kurse shtrihet në një hapësirë prej 6.500 metra katrorë.12391081_10207025140579422_3307657278052734464_n

scroll to top