Dy shqiptarë therin gratë, njëra vdes

Dy shqiptarë në Itali sulmuan gratë e tyre me thikë, njëra prej tyre nuk mundi të mbijetonte dhe u nda nga jeta nga sulmi makabër, ndërkohë që tjetra po lufton me vdekjen në shtratin e spitalit. Viktima e parë është një 32-vjeçare, së cilës iu pre fyti nga i shoqi, teksa flinte me djalin 3 vjeç, ndërsa tjetra është një vajzë 20 vjeçe, e cila u sulmua me thikë nga i dashuri dhe është në gjendje të rëndë.

Mizoria

Në orën 02.00 të mëngjesit të djeshëm, muratori 42-vjeçar Gjin Preducaj shkoi në kuzhinë dhe pasi mori një thikë 30 centimetra, ia preu fytin të shoqes, 32-vjeçares Mariana Preducaj, e cila po flinte bashkë me djalin e saj 3 vjeç. Gjithçka ndodhi në Komunën Gallarate në provincën e Varezes në Itali. Mjaftoi një goditje e shpejtë për t’ia marrë jetën 32-vjeçares dhe më pasi ai telefonoi të motrën, së cilës i tha se “mbaroi gjithçka”, ndërsa kur policia shkoi në vendin e ngjarjes, ai tha se “e vrava unë”. Skena mizore u pa nga djali 3 vjeç, ndërsa vajza 11 vjeçe po flinte në dhomën tjetër. Por shqiptari nuk e tregon shkakun e këtij krimi makabër, teksa fqinjët dhe të afërmit i kanë thënë policisë se kjo familje nuk kishte pasur asnjëherë probleme ekonomike. “Nuk dëgjuam asgjë, ja tani nga ju po e mësojmë këtë krim. Kemi 10 vjet që i kemi pranë dhe nuk i kemi dëgjuar asnjëherë të ulërijnë. Ishin të qetë dhe dukeshin të lumtur”-kanë thënë fqinjët për policinë. E vetmja pistë ku po përqendrohet policia është ajo e vrasjes për shkak të xhelozisë. Autori i krimit është i moshës 42 vjeç e punon si punëtor ndërtimi në Itali, ndërsa gruaja ishte shtëpiake. Policia ka nisur hetimet, duke marrë deklarimet e pronarëve të firmës së ndërtimit ku punonte Preducaj, për të mësuar diçka më tepër rreth sjelljes së tij kohët e fundit. Trupi i pajetë i 32-vjeçares u dërgua në morg për autopsi, ndërsa janë lajmëruar edhe familjarët e saj në Shqipëri. Ende nuk është folur se ku do të zhvillohet ceremonia mortore.

Thikat në bar

Një muaj e gjysmë më parë, ai kishte shkuar ta kërkonte në barin ku ajo punonte dhe pasi e refuzoi, zbrazi inatin duke thyer gotat. Por parmbrëmë Florenk Zeneli, 27-vjeçari shqiptar, me një dosje penale, rezident në Melzo, për pak e vrau ish të dashurën e tij, Erla S., 20 vjeçe edhe ajo shqiptare. Të gjithë e përshkruajnë si tepër të bukur dhe të sjellshme. Shqiptari e goditi me shkelma, grushte dhe më pas e qëlloi disa herë me thikë. Vetëm ndërhyrja e pronarit të barit kinez “La Cremeria”, në Milano, i shpëtoi jetën. Erla është shtruar në spitali San Raffaele, pasi ka marrë plagë të rënda, ndërsa ish i dashuri i saj u arrestua nga policia, pak minuta pas krimit. Ndaj tij rëndon akuza e vrasjes së mbetur në tentativë. Agresori banonte me vëllain, pak metra larg barit, ndërsa edhe vajza jetonte me vëllain e saj. Kur ky i fundit kishte shkuar si përherë në lokalin ku punonte e motra, mori vesh për atë që kishte ndodhur. Çifti ishte ndarë prej disa muajsh, por 27-vjeçari nuk e pranonte këtë fakt. Parmbrëmë ai shkoi në barin ku punonte 20-vjeçarja dhe e tërhoqi zvarrë për disa metra, duke e goditur me shkelma dhe grushte. Kur mbërritën në tarracë, e qëlloi disa herë me thikë dhe vetëm ndërhyrja e pronarit të lokalit, i shpëtoi për momentin jetën 20-vjeçares. Ajo po lufton për mbijetesë në spital, ndërsa mjekët thonë se është në gjendje të rëndë shëndetësore.

M.Mullai

scroll to top