Edi Rama i trishtuar nga vandalizmi i PD-së

‘’Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabel, teksa kujton lëvizjen studentore që shëmbi regjimin komunist e i dha jetë veteë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham’’, kështu i revoltuar Rama ka komentuar sot protestën e opozitës.

‘’Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjeteve më parë, me këtë shfaqje të vobektë të politikës së ngjirur të PD-së, e cila sot përpëlitet mes baltes së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot më kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë’’.

Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit europian të shqiptarëve, një PD të katandisur në hijen e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjallë me sharje; besimin e humbur rrëket ta rifitojë me gurë e shishe benzinë mbi investimet publike; vullnetin europian të shqiptarëve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instalacione të artit urban – me të njejtën egërsi primitive që do t’i digjte e shkatërronte në fakt dhe fatkeqësisht, edhe regjimi komunist’’.

Keqardhje e sinqertë për të verbërit e shkretë që s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte nëpër duar! Neveri për politikën e ngjirur të një Partie Demokratike në shthurrje të vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternativë qeverisëse dhe, fatkeqesisht, edhe pa asnjë lidhje me kohën europiane të Shqipërisë e as me ëndërrat, shpresat, problemet e hallet e sotme të shqiptarëve…’’, kështu ka komentuar kryeministri Rama ngjarjet e sotshme.

scroll to top