Eksperti shqiptar mban peng KSHZ-në, Vanhaute i pakënaqur u largua drejt Brukselit

Partitë politike assesi të merren vesh për 3 ekspertët që do të duhen të jenë pjesë e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

VMRO DPMNE në një brifing me gazetarët ka bërë të ditur se problemi kryesor është eksperti i propozuar nga partitë shqiptare. Sipas partisë në pushtet, LSDM-ja ka refuzuar dy anëtarët e propozuar nga partitë shqiptare. Nga VMRO DPMNE insistojnë se nuk ka anulim të zgjedhjeve, sepse sipas tyre, kjo do të ndikojë në investimet ekonomike dhe tek qytetarët.

Të pyetur nga gazetarët, se çka nëse ndërkombëtarët humbin durimin ? Nga partia në pushtet thonë se ekzistojnë vijat e kuqe që edhe ndërkombëtaret duhet ti respektojnë.

Edhe nga LSDM-ja  konfirmojnë se problemi është tek ekspertët. Ata thonë se për partinë në pushtet është më e rëndësishme se kush dhe çka publikon në fejsbuk, se sa kualitetet profesionale.

Në ndërkohë, ndërmjetësuesi Peter Van Haute, i pakënaqur me procesin e bisedimeve, është larguar për Bruksel, për konsultime shtesë dhe për mundësitë e reja se si të vazhdojë procesi i implementimit të obligimeve të paplotësuara nga Marrëveshja e Përzhinës.

Edhe ambasadori i Bashkimit Evropian, Aivo Orav , dje shprehu shqetësimin e tij për zvarritjen e zgjedhjes së ekipit të KShZ-së.  Grupet e punës nuk u takuan sot, kurse sipas informatave të TV21, takimet pritet që të vazhdojnë menjëherë pas kthimit të ndërmjetësuesit nga Brukseli.

scroll to top